Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli me lehtësi fiton çerekfinalen e parë ndaj Vëllaznimit

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli ka bërë një hap të madh drejt kalimit në fazën gjysmëfinale të plejofit, që ka nisur të mërkurën.

Ylli e ka fituar pa telashe ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Vëllaznimit dhe i duhet vetëm edhe një fitore për ta konfirmuar kalimin tutje.
Të mërkurën mbrëma, Ylli triumfoi bindshëm ndaj Vëllaznimit, që për herë të parë po paraqitet në garat e plejofit. 
Dueli i luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, u mbyll me shifrat 111:86 në të mirë të ekipit vendas.

Ndeshja e dytë, në të cilën Ylli pritet të konfirmohet si gjysmëfinalist i plejofit të këtij sezoni, do të zhvillohet të shtunën mbrëma në Gjakovë. 
Në duelin e parë, Ylli që vlerësohej favorit i madh përball Vëllaznimit, pati një paraqitje dominante ndaj ekipit gjakovar që para ndeshjes pothuajse ishte i dorëzuar. Në radhët e veta, Vëllaznimi u paraqit me vetëm një lojtar të huaj, pasi të tjerët që ishin pjesë e ekipit përgjatë pjesës së rregullt të sezonit i kishte liruar. 
Amerikani i vetëm në përbërjen e Vëllaznimit që dominohej nga lojtarët vendor, ishte Devin Johnson. 
Në anën tjetër, Ylli ishte i kompletuar dhe nuk lejoi befasi duke pasur parasysh se synimi i ekipit nga Suhareka është mbrojtja e titullit të kampionit. 
Ylli është shpallur kampion në dy sezonet e fundit, ndërsa në rast të kalimit tutje, në gjysmëfinale do të përballet me skuadrën e Pejës, e cila është kualifikuar direkt pasi doli e dyta në pjesën e rregullt. 
Te Ylli, pesë basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. 
Më i dalluari ishte organizatori Rashun Davis me 26 pikë të realizuara, i përcjellë nga Bashir Ahmed me 16 pikë e Valon Bunjaku me 15 të tjera. 
Në anën tjetër, te Vëllaznimi u veçuan Atik Koshi me 28 pikë dhe Devin Johnson me 19 pikë.

Artikuj të ngjashëm