Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli debuton në Ligën e Kampionëve kundër Benficas

Golden Eagle Ylli do të debutojë në çerekfinale të fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve në basketboll kundër Benficas të Portugalisë, pas shortit të hedhur në Gjenevë të Zvicrës të enjten.

Benfica është kampione e Ligës së Portugalisë në basketboll, ndërsa Ylli e fitoi për të dytën herë radhazi titullin në Kosovë dhe do të marrë pjesë në gara evropiane për herë të parë. 

Ndeshja do të luhet më 21 shtator.

Fituesi i ndeshjes Ylli - Benfica, në gjysmëfinalen kualifikuese do të luajë kundër ekipit qipriot, Keravnos. Fituesi nga kjo gjysmëfinale, në finalen kualifikuese përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër Budivelnyk/Norrkoping - Bamberg. 

Ekipet fituese në finale kualifikohen në stinorin e rregullt të Ligës së Kampionëve në basketboll. 

Më 23 shtator janë gjysmëfinalet e kualifikimeve, ndërsa më 25 shtator janë finalet.

Në rast të eliminimit, Ylli do të luajë në FIBA Europe Cup, aty ku kanë aplikuar për pjesëmarrje edhe Prishtina e Trepça. 

Liga e Kampionëve është gara kryesore e FIBA Evropës për klube të kontinentit, por për nga niveli vlerësohet se qëndron prapa Euroligës dhe Eurokupës. Këto dy gara nuk i organizon FIBA.

Artikuj të ngjashëm