Sport

Te Ylli vlerësojnë Benfican, por shpresojnë për sukses në Champions

Më 21 shtator Golden Eagle Ylli do ta luajë ndeshjen e parë evropiane. Kampioni i Kosovës në basketboll debuton në Ligën e Kampionëve, ndërsa përballë do ta ketë Benfican, klubin e njohur portugez.

Ndeshja Ylli – Benfica i takon çerekfinales së raundit kualifikues të Championsit. Nëse e kalon Benfican, Ylli më 23 shtator takohet me Keravnosin qipriot, më 23 shtator. Nëse eventualisht e kalon edhe Keravnosin, atëherë më 25 shtator të luante me Brose Bambergun e Gjermanisë, Norrkopingun suedez apo Budivelnykun ukrainas. Ylli duhet të kalojë pra tre kundërshtarë për të zënë vend në stinorin e rregullit të Championsit.

Nuk është mision i lehtë. Në të vërtetë për skuadrën nga Suhareka sukses do të ishte nëse e kalon edhe një kundërshtar në Championsin e basketbollit. Pas eliminimit nga Championsi, Ylli vazhdon garën në FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët.

FIBA nuk ka vendosur ende se ku do të luhen ndeshjet e raundit kualifikues të Championsit. Njëra prej këtyre gjashtë skuadrave do të organizojë ndeshjet dhe kjo vendoset javën e ardhshme. Por pavarësisht se ku luhen ndeshjet, Yllin e pret ndeshje e vështirë me Benfican.

“Mund të them se ka optimizëm për të kaluar këtë pengesë, pasi Benfica ishte ekipi i nivelit pak më të ulët prej kundërshtarëve të mundshëm. Benfica vetëm traditë ka më shumë se ne. Në garat e FIBA-s nuk ka shumë përvojë. Kështu që mund të them se jemi të barabartë dhe Benfica është kundërshtare që mund ta kalojmë”, ka theksuar për KOHËN Egzon Fetiu, drejtor sportiv i Golden Eagle Yllit.

Ylli është në periudhën më të mirë si klub. Ka fituar titullin e kampionit të Kosovës dy herë rresht. Vjet nuk luajti në Evropë, ndërsa tani ka vendosur të testohet në Champions, që për nga niveli është gara e tretë kontinentale për klube të basketbollit.

“Jam tejet krenar që si klub po shkruajmë historinë duke u paraqitur për herë të parë në arenën ndërkombëtare dhe që do ta prezantojmë qytetin e Suharekës dhe gjithë Kosovën në Champions League. Shorti deshi që kundërshtari ynë të jetë Benfica, definitivisht skuadra portugeze më me renome, me mbi 80 trofe vendorë. Është skuadër që ka marrë pjesë në kompeticionet më të forta evropiane dhe ka arritur të shënojë fitore ndaj skuadrave të njohura”, ka thënë kapiteni i Yllit, Gëzim Morina.

Paraqitjet e Yllit do të varen edhe nga lojtarët që angazhojnë suharekasit. Ylli ka vazhduar me trajnerin Adis Beçiragiq, ndërsa ka mbajtur në skuadër Morinën, Ardit Pepajn e Drilon Shalën. Ndërkohë ka angazhuar Valon Bunjakun. Nuk ka lëvizje zyrtare sa u takon lojtarëve të huaj. Nga Ylli janë larguar dy prej lojtarëve kryesorë, Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq.

“Ne jemi në proces të ndërtimit të ekipit. Besoj që në dy-tri javët e ardhshme do të kemi një fotografi më të mirë të asaj se si do të duket skuadra jonë këtë edicion. Shpresoj në paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze edhe pse jemi pa përvojë në këtë kompeticion. Besoj që do të organizohemi mirë dhe me përkrahjen e qytetit dhe ‘Xhebrailave’ gjithçka është e mundur”, ka shtuar Gëzim Morina.

Te Benfica nuk kanë bërë ndonjë koment për kampionin kosovar. Benfica ka 28 tituj të Portugalisë dhe 22 trofe të Kupës. Superkupën portugeze e ka fituar 14 herë. Zakonisht në përbërje i ka nga disa basketbollistë amerikanë.

Benfica në Champions kishte luajtur në edicionin 2019/2020. Në raundin e parë kualifikues e kishte kaluar Donar Groningenin e Holandës. Në raundin e dytë ishte eliminuar nga Mornari i Tivarit.