Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli debuton me humbje të thellë në FIBA Europe Cup

Kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli e ka nisur aventurën në FIBA Europe Cup me humbje të thellë.

Në ndeshjen e parë të kësaj gare, që u luajt të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi”, Ylli u mposht me shifrat 93:76 nga Hapoel Galil Elioni.

Kjo ndeshje i takoi Grupit A të FIBA Europe Cup, të cilin e përbëjnë edhe dy ekipet nga Gjermania, Niners Chemnitz e Brose Bamberg.

Për Yllin, kjo është hera e parë që po paraqitet në garat e FIBA-s. Në fakt, ekipi nga Suhareka u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve, përpara se ta shfrytëzojë të drejtën për t’u paraqitur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Ylli arriti ta fitojë vetëm çerekun e parë, të cilin e mbylli me një epërsi prej tri pikëve (23:20). Me të filluar çereku i dytë, ekipi nga Izraeli e barazoi rezultatin dhe shkoi në pushim me 13 pikë avantazh (48:35). Hapoeli vazhdoi me ritëm të njëjtë edhe në dy çerekët e fundit, duke e shtuar epërsinë që në fund të çerekut të katërt shkoi deri në 25 pikë (93:68).

Jalen Hudson ishte më efikasi te Hapoeli me 20 pikë të shënuara, ndërsa Deishaun Booker shtoi 18 pikë e 8 asistime. Ndërkohë, te Ylli më efikasi ishte Rashun Davis me 18 pikë. Me pikë dyshifrore ndeshjen e mbyllën edhe Valon Bunjaku (13), Henrik Shirko (12) e Isuf Sejfiq (11) por që nuk mjaftuan për të evituar distafën e thellë. Ndeshjen e radhës, Ylli e luan javën tjetër në udhëtim te Niners Chemnitz.