Fitorja e Golden Eagle Yllit ndaj Brose Bamberg në Gjermani është vlerësuar befasi e madhe. Por fitorja e javës së kaluar ka dëshmuar për kthimin e kampionit të Kosovës në basketboll në rrugën e duhur. Ylli i Suharekës tashmë ka lidhur edhe disa fitore në Superligë, ndërsa të mërkurën do ta ketë sfidën e ardhshme evropiane.
Në kuadër të xhiros së katërt të fazës grupore në FIBA Europe Cup, Golden Eagle Ylli takohet me skuadrën izraelit Hapoel Nofar Galil Elion. Ndeshja luhet nga ora 16:30 në Kfar Blum të Izraelit. Prej orës 20:00 është ndeshja tjetër e grupit A në mes skuadrave gjermane, Brose Bamberg dhe Niners Chemnitz.
Ylli më 12 tetor ishte mposhtur thellë në Prizren nga Galil Elioni, 93:76. Më pas ka humbur edhe në udhëtim nga Niners Chemnits, 90:60. Por u kthye fuqishëm para një jave kur fitoi 81:78 në Bamberg të Gjermanisë. Bambergu dhe Galil Elioni i kanë nga dy fitore e një humbje, ndërsa Chemnitzi e Ylli i kanë nga një fitore e dy humbje. Deri në fund janë edhe tri xhiro, kështu që gara për dy pozitat e para është e hapur plotësisht. Dy pozitat e para në grup sigurojnë avancimin në rundin e dytë.
Për Yllin me shumë rëndësi do të jetë ndeshja në Izrael. Në rast të fitores, kampioni kosovar do të ketë gjasa të mira për avancim. Dy ndeshjet e fundit i luan në shtëpi.
“Pas fitores së thellë në Superligë, kthehemi në FIBA Europe Cup. Udhëtojmë në Izrael për të vazhduar serinë e fitoreve”, ka shkruar Ylli.
Optimist për ndeshjen në Izrael është shprehur amerikani Rashun Davis. Ai në ndeshjet e fundit ishte prej më të dalluarve te skuadra nga Suhareka.
“Jemi të motivuar dhe do të kërkojmë fitoren. Natyrisht që na pret ndeshje e vështirë, por jemi optimistë se do ta marrim fitoren. Jemi në moment të mirë dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë Davis. Ai në ndeshjen ndaj Bambergut ishte më i dalluari me 19 pikë e shtatë kërcime.
Me ardhjen e Davisit dhe Jay Threattit, Ylli ka marrë formë tjetër. Dhe ka nisur me rezultate pozitive pas startit shumë të keq. Në përmirësimin e rezultateve ka ndikuar edhe kthimi i Malcolm Armsteadit, ndërsa së fundi është kthyer edhe kapiteni Gëzim Morina.