Brose Bambergu i kishte fituar dy ndeshjet e para. Kishte fituar në udhëtim ndaj Niners Chemnitz dhe ndaj Hapoel Nofar Galil Elion. Golden Eagle Ylli kishte humbur bindshëm në shtëpi nga Hapoeli izraelit dhe po ashtu bindshëm nga Chemnitzi gjerman në udhëtim.
Kështu që për ndeshjen e së mërkurës në Bamberg, Ylli ishte autsajder i madh.
Por kampioni kosovar bëri befasi të madhe. Fitoi 81:78 ndaj skuadrës gjermane dhe kështu papritur dhe goxha fuqishëm hyri në garë për ta kaluar grupin në FIBA Europe Cup.
Sajti zyrtar i FIBA-s e ka cilësuar historike fitoren e Yllit. Skuadra nga Suhareka për herë të parë po luan në gara ndërkombëtare, ndërsa fillimisht e kishte një humbje në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Fitorja ndaj Bambergut ishte e para edhe për skuadrat kosovare në gara evropiane këtë edicion. Humbje kanë pësuar edhe Trepça e Sigal Prishtina.
Ylli mbetet i fundit në tabelë me katër pikë, sa i ka edhe Chemnitzi. Vetëm një pikë më shumë e kanë Bambergu dhe Galil Elioni. Deri në fund janë edhe tri xhiro, kështu që gara për dy pozitat e para është më se e hapur. Dy pozitat e para sigurojnë avancimin në raundin e dytë.
Ylli më 2 nëntor luan në udhëtim te Galil Elioni. Më 23 nëntor e pret Chemnitzin e më 30 nëntor edhe Bambergun.
Te kampioni i Kosovës megjithatë janë të matur lidhur me gjasat për të avancuar tutje.
“Fitore e madhe për Suharekën dhe për Kosovën. Ndeshjen e ardhshme e kemi të dielën me Rahovecin dhe momentalisht fokusi është aty. Në secilën ndeshje shkojmë për fitore. Do të shohim deri ku do të arrijmë në FIBA Europe Cup dhe në kampionatin e Kosovës. Fitorja përfundimisht na ka motivuar dhe na ka ngritur. Është fitore vërtet e madhe”, ka thënë basketbollisti kroat i Yllit, Henrik Shirko.
Ylli ka nisur keq edhe në Superligë. Por me ardhjen e Jay Threattit dhe Rashun Davisin ka nisur të gjejë ritmin. Ndërkohë nga lëndimet janë kthyer kapiteni Gëzim Morina dhe amerikani i natyralizuar, Malcolm Armstead.
Tani Ylli ka pamje tjetër, ndërsa fitorja në Gjermani është dëshmi për këtë.
“Klubi solli dy lojtarë, ndërsa momentalisht në gjendjen për të ushtruar dhe luajtur janë Malcolmi dhe Gëzimi. Ata na kanë munguar shumë. Ende nuk janë shëruar plotësisht, por për 10-15 ditë do të jenë të gatshëm. Synojmë që në secilën ndeshje të japim maksimumin. Vetëm kjo është me rëndësi dhe të shohim ku do të arrijmë”, ka shtuar Shirko.
Vlerë shumë të madhe fitores në Gjermani i ka dhënë kapiteni i Yllit, Gëzim Morina.
“Fitorja ndaj Bambergut ishte e madhe, ndër më të mëdhatë e basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Për ne si ekip është vërtetim i punës së mirë që jemi duke e bërë dhe motiv shtesë për vazhdimin e stinorit. Kemi një grup mjaft të fortë, ndër më të fortët në garë. Nga ndeshja në ndeshje do të mundohemi të japim maksimumin. Nëse na vjen shansi për kualifikim tutje, pse jo, ne do të bëjmë më të mirën”, ka thënë Morina. Ai mungoi gjatë për shkak të lëndimit, ndërsa ka nisur të kthehet gradualisht.
Ai thotë se fitorja mund të duket befasi, por ishte rezultat i asaj që u shfaq në parket.
“Pa dyshim që kjo fitore është motiv shtesë për vazhdimin e kampionatit, të cilin e nisëm me shumë probleme. Por ka disa javë që vërtet po punojmë mjaft mirë dhe rezultatet kanë filluar të vijnë. Mbetemi me këmbë në tokë, mirëpo do të kërkojmë shanset tona për avancim tutje. Udhëtojmë në Izrael e më pas kemi dy ndeshje në shtëpi. Me përkrahjen e tifozëve ‘Xhebrailat’ dhe gjithë qytetarëve të Suharekës mund të befasojmë çdokënd”, ka shtuar Morina.
Pasi palestra në Suharekë nuk i plotëson kushtet e kërkuara, Ylli si vendas po luan në Prizren.