Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri i Bambergut u kërkon falje tifozëve për humbjen nga Ylli

Skuadra nga Bundesliga e Gjermanisë, Brose Bamberg nuk e ka pritur aspak mirë humbjen që ia shkaktoi Golden Eagle Ylli në kuadër të FIBA Europe Cup. Bambergu, që vlerësohej favorit i madh para ndeshjes kundër Yllit, u mposht të mërkurën mbrëma në shtëpi.

Në duelin e Grupit A, të luajtur në palestrën “Brose Arena”, Ylli triumfoi me shifrat 81:78. Për Bambergun, kjo ishte humbja e parë në grup pas dy fitoreve që i regjistroi ndaj Chemnitz Niners dhe Hapoel Galil Elion në ndeshjet e para.

Në anën tjetër, Ylli regjistroi fitoren e parë në FIBA Europe Cup, garë në të cilën po debuton këtë edicion. Para ndeshjes me Bambergun, skuadra nga Suhareka kishte pësuar humbje të thella nga Hapoeli në Prizren dhe Chemitzi në Gjermani. Megjithatë, në xhiron e tretë ndaj Bambergut pati paraqitje të mirë dhe arriti ta regjistrojë fitoren e parë.

Trajneri i Bambergut, Oren Amiel publikisht ka kërkuar falje për këtë disfatë, që sipas tij ishte plotësisht e papritur.

“Ishte një paraqitje e dobët dhe humbje e turpshme, për të cilën dua t’u kërkoj fansave falje publike. Kjo nuk është ajo që ne duam t’u tregojmë atyre. Ata nuk e meritojnë një gjë të tillë nga ekipi ynë”, ka thënë Amiel, i cili ka thënë se ekipi i tij nuk po luan mirë kohët e fundit, duke aluduar edhe në katër humbjet që i ka regjistruar në po aq ndeshje të luajtura në Bundesligë.

“Ne nuk po luajmë mirë, nuk jemi as afër në nivelin që duhet të jemi që secili prej nesh e pret. Nuk është koha për keqardhje për veten, por duhet të shohim se si secili prej nesh mund të përmirësohet sa më shpejt të jetë e mundur”.