Mungesa e fituesit të “Këpucës së Artë” në Premier League, sulmuesit Son Heung-min dhe yjeve të tjerë nga Koreja e Jugut dhe Japonia, u jep lojtarëve vendas një shans të vonuar në Kampionatin e Azisë Lindore për të shfaqur pretendimet e tyre për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Paulo Bento, po përgatitet për ndeshjet kundër Kinës, Hong Kongut dhe Japonisë mikpritëse në javën e ardhshme, por po mendon më tej për duelet ndaj Uruguait, Ganës dhe Portugalisë, kur Kupa e Botës të nisë në muajin nëntor.
“Ne do t'i qasemi këtij turneu si përgatitje për Kupën e Botës në Katar,” Bento, i cili ka përzgjedhur tetë lojtarë pa ndeshje në listën e tij prej 23 lojtarësh. “Lojtarët e sapopërzgjedhur kanë luajtur mirë në K-League kohët e fundit”.
Son ka qenë i përfshirë në turneun e klubit të tij anglez, Tottenhami, në Korenë e Jugut dhe do të humbasë kampionatin e meshkujve EAFF që fillon në Japoni të martën me ekipin vendas që do të përballet me Hong Kongun. Duelin e parë në këtë turne, Koreja e Jugut do ta luajë kundër Kinës të mërkurën.
“Është për të ardhur keq që periudha që anëtarët e rinj të stërviten në ekipin kombëtar është e shkurtër”, tha Bento. “Por ne do të sigurohemi që ata të kuptojnë më mirë taktikat dhe filozofitë e ndjekura nga përfaqësuesja”.
Njëri prej lojtarëve të ri të ftuar te Koreja e Jugut është edhe Lee Ki-hyuk.
“Isha duke ngrënë drekë në shtëpi kur dëgjova se isha përzgjedhur për kombëtaren, mbeta i trullosur”, tha mesfushori 22-vjeçar. “Duke parë listën, nuk mund ta besoja. Është mirë që jam përzgjedhur, por nga ana tjetër, jam i pangopur dhe dua të bëj të njohur emrin tim në këtë turne”.
Edhe
Koreanët të shqetësuar me formën e sulmuesit Son në prag të Botërorit
Japonia, duke u përgatitur për një paraqitje të shtatë të njëpasnjëshme në Kupën e Botës, ndërhyri për të organizuar turneun e Azisë Lindore në qytetet Kashima dhe Toyota, pasi Kina hoqi dorë nga të drejtat e pritjes në prill për shkak të kufizimeve të Pekinit në vend për pandeminë COVID-19. Përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, zgjodhi një listë për turneun që është tërësisht përbëhet nga lojtarët vendas. Takehiro Tomiyasu i Arsenalit, Takefusa Kubo i Real Madridit dhe Takumi Minamino i Monacos janë vetëm tre nga më shumë se 20 lojtarët japonezë me bazë në Evropë, të zënë me përgatitjet parasezonale me klubet e tyre. Njëmbëdhjetë nga 23 nuk janë paraqitur kurrë më parë për Përfaqësuesen A të Japonisë. Por turneu nuk është përgatitje e Kupës së Botës për të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Kina dhe Hong Kongu nuk do të jenë në Katar, por e kanë Kupën e Azisë vitin tjetër për t'u përgatitur. Kina pati një kampanjë të zymtë kualifikuese për Kupën e Botës dhe ia besoi këtë turne trajnerit të përfaqësueses U23, Aleksander Jankoviqit. Ai përzgjodhi vetëm katër lojtarë në listën e tij që kanë përvojë paraprake në përfaqësimin e Kinës në turnetë e ndryshëm.
“Ne jemi të fokusuar vetëm te vetja dhe ta përfaqësojmë vendin me nder”, tha Jankoviq. “Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët tanë, por do të shikojmë të luajmë stilin tonë të lojës dhe mezi presim turneun”.
Hong Kongu është në një nivel të lartë pas kualifikimit në qershor për Kupën e Azisë 2023, një paraqitje e parë në skenën kontinentale që nga viti 1968. Turneu i femrave, i cili gjithashtu fillon të martën, do të shërbejë si një ngrohje e dobishme për Kupën e Botës 2023 për Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Tajvani është ekipi tjetër pjesëmarrës në këtë turne.