Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Frikë për gjendjen fizike dhe shëndetin mendor të lojtarëve pas Kupës së Botës

Orari i mbushur me ndeshje pas Kupës së Botës “Katari 2022” do ta shtojë presionin mbi shëndetin fizik dhe mendor të lojtarëve, sipas sindikatës globale “Fifpro”. Manchester City rikthehet në Premier League javën e ardhshme me 16 lojtarë të tij që kanë luajtur së bashku 5180 minuta dhe kanë kaluar 486 kilometra në Katar, tregoi studimi i “djegies” së lojtarëve.

Arsenali do të duhet të rifillojë synimin për titull pa sulmuesin Gabriel Jesus, i cili u lëndua në ndeshjen e fundit të grupit të Brazilit kundër Kamerunit. Kjo pasoi dëmtimet para turneut që përjashtuan fituesin e “Topit të Artë”, Karim Benzema dhe sulmuesin e Bayern Munichut, Sadio Mane. Sekretari i përgjithshëm i “FIFpro”, Jonas Baer-Hoffmann, këmbëngul se periudhat e duhura të pushimit janë më se të nevojshme.

Duke mos iu referuar lojtarëve specifikë, Baer-Hoffmann tha se me rifillimin e ndeshjeve me të përfunduar Botërori, gjendja e lojtarëve do të vështirësohet dhe ata rrezikohen edhe më shumë nga lëndimet. Sipas tij, atyre iu duhet patjetër rikuperimi i nevojshëm.

“Ne kemi parë disa lojtarë që para Kupës së Botës kanë luajtur 10, 15 ndeshje rresht pa një periudhë të duhur rikuperimi, që ne e konsiderojmë të paktën pesë ditë ndërmjet ndeshjeve. Kjo është diçka që lojtarët kanë nevojë”, tha ai. “Kur keni lojtarë që luajnë 15 nga ato ndeshje, pastaj shkoni në një Kupë Bote intensive dhe tani shikoni janarin me shtatë ose tetë ndeshje të tjera, ju thjesht rritni probabilitetin që të ndodhin këto lloj lëndimesh”.

Kupa e Botës ishte zhvendosur në dimër për të shmangur vapën e verës në Katar, duke krijuar probleme të planifikimit për ligat evropiane, të cilat u përkeqësuan nga mbyllja e gjatë shkaku i pandemisë.

“Për disa nga ata lojtarë kjo kthehet tani në një periudhë dy, dy vjet e gjysmë”, tha Baer-Hoffmann. “Ata kishin kalendarë gjithnjë e më të ngjeshur gjatë periudhës së pandemisë, tani këtë sezon Kupa e Botës krijoi presion mbi ligat dhe e gjithë kjo po bashkohet. Orari po merr si të mirëqenë aftësinë e lojtarëve dhe nuk i mbron ata. Kjo është e keqe për ata lojtarë, padyshim, por është gjithashtu e dëmshme për futbollin për shkak se mund të mos jenë të disponueshëm, ose karriera e tyre mund të shkurtohet pa arritur potencialin e tyre të plotë”.

Edhe Lojtarët që nuk luajtën asnjë minutë në Kupën e Botës Botërori 2026 Lojtarët që nuk luajtën asnjë minutë në Kupën e Botës

Raporti para fillimit të turneut të Katarit i “Fifpro”, theksoi fituesin e “Këpucës së Artë”, Kylian Mbappe, i cili kishte luajtur mbi 75 për qind të minutave të tij në ndeshje me më pak se pesë ditë pushimi. Mbappe kishte luajtur mbi 27,000 minuta futboll, e barabartë me 300 ndeshje të plota, deri në moshën 23 vjeçare. Përveç lodhjes fizike dhe lëndimeve, efekti në shëndetin mendor pas një turneu madhor mund të jetë i rëndësishëm. Mbappe në turneun e Katarit shënoi tetë gola në shtatë ndeshje për ta fituar epitetin e golashënuesit më të mirë, por Franca u mposht në finale nga Argjentina me penallti.

“Nuk është vetëm rikuperimi fizik, është gjithashtu aftësia mendore për t'u përshtatur, për t'u përgatitur për pjesën e mbetur të sezonit – që sigurisht, kur luan një turne në mes të një sezoni, është shumë më ndryshe”, theksoi Baer-Hoffmann. “Kur kombinoni të gjithë këta faktorë përgatitjeje – në thelb nuk ka pasur periudhë, nuk ka periudhë rikuperimi tani pas turneut, që zakonisht zgjat rreth një muaj dhe kjo na shqetëson”.