Futboll

Rritja e lojës së bukur të futbollit nuk njeh kufij

Rritja e lojës së bukur të futbollit nuk njeh kufij

Më i madh nuk do të thotë gjithmonë më i mirë. Por përpiquni që t’ua tregoni këtë atyre që udhëheqin sportin më të popullarizuar në botë, futbollin, derisa ata reflektojnë mbi një vit plot me aktivitete dhe fillojnë numërimin mbrapsht për Kupën e Botës super të madhe.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), pa përmendur këtu konfederatat kontinentale, ligat shtetërore dhe transmetuesit, do të argumentojë se oreksi për “lojën e bukur” është shumë i madh, ndërsa do të ofrojë 12 muajt e fundit si provë.

FIFA e përshkroi Kupën e Botës për Klube të rritur në 32 ekipe, si një “sukses të jashtëzakonshëm”, me 2.4 milionë tifozë që morën pjesë në verë në SHBA. Ishin 81 mijë shikues në finalen në të cilën Chelsea e mposhti PSG-në.

Humbjet e Auckland Cityt 10:0 nga Bayerni dhe 6:0 nga Benfica, e të Al Ainit me 5:0 e 6:0, shtruan pyetje në lidhje me kontrollin e cilësisë dhe mospërputhje të tilla do të ndikojnë në Kupën e Botës për përfaqësuese.

Rekord prej 48 përfaqësuesesh, nga 32 sa ishin në Katar në vitin 2022, do të garojnë në SHBA, Kanada e Meksikë. Turneu me 104 ndeshje do të testojë qëndrueshmërinë e lojtarëve, tifozëve dhe mediave. 

Mirëqenia e lojtarëve është tashmë pikë e nxehtë. FIFPro, organizata që mbron të drejtat e futbollistëve, ka paralajmëruar rritjen e shkallës së lëndimeve dhe lodhjen për shkak të kalendarit gjithnjë në zgjerim.

Kepi i Gjelbër, Kuraçao, Jordania dhe Uzbekistani pritet të largohen shpejt nga Botërori, ndërsa përfaqësuese tradicionale si Argjentina, Franca, Brazili, Spanja, Anglia dhe Gjermania pritet të luftojnë për trofeun e madh.

“Vallëzimi i fundit” për Messin e Ronaldon

Komentatorët televizivë do të kenë nevojë për shënime të shumta për disa emra të panjohur. Por dy lojtarë nuk do të kenë nevojë për prezantim.

Lionel Messi i Argjentinës dhe Cristiano Ronaldi i Portugalisë, dy lojtarët dominues të shekullit të 21-të, nuk janë përballur në pesë Kupat e Botës së mëparshme. Nëse rezultatet shkojnë sipas asaj që pritet, mund të takohen për një “vallëzim të fundit” në çerekfinale të Botërorit. Ronaldo në atë kohë do të jetë 41-vjeçar, ndërsa Messi 39-vjeçar.

Asnjëri nuk tregoi shenja të ndaljes në vitin 2025. Ronaldo shënoi gola për Al-Nassr dhe ndihmoi Portugalinë të fitonte titullin në Ligën e Kombeve të UEFA-s.

Messi fitoi ligën MLS me Inter Miamin. Ishte më i miri i kësaj lige dhe golashënuesi më i mirë.

Me dyshen larg zemrës evropiane të futbollit, talente të tjera dolën në pah.

Askush më shumë se fituesi i “Topit të Artë” dhe i çmimit “The Best” të FIFA-s, Ousmane Dembele.

Golat e tij e udhëhoqën PSG-në drejt tripletës, ku përfshihet titulli i parë në Ligën e Kampionëve.
Dembele i shënoi 39 gola në 49 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa PSG-ja më në fund shpërbleu investimin e madh të pronarëve nga Katari, duke shkatërruar Interin 5:0 në finale të Championsit.

Yamal dhe të tjerët

Dembele doli mbi supertalentin Lamine Yamal, që luajti rol të rëndësishëm në kampanjën e Barcelonës që përfundoi me titullin e 28-të të Spanjës. Mohamed Salah me golat e tij e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të kampionit të Anglisë.

Harry Kane ka pasur po ashtu një vit të suksesshëm, njëjtë si shumë të tjerë.

Dhe rritja e futbollit vazhdon.

Liga e Kampionëve e UEFA-s, me fazën e ligës prej 36 skuadrave, fitoi mbi skeptikët e këtij modeli. 27 ekipe kishin ende për të luftuar në raundin e tetë dhe të fundit të fazës së ligës.

Duket emocionuese, por në të njëjtën kohë e favorshme për klubet e mëdha. PSG-ja humbi tri nga pesë ndeshjet e para dhe përfundoi në vendin e 15-të në fazën e ligës, para se të merrte flakë në ndeshjet eliminatore.

Gjashtë klube angleze janë kualifikuar për edicionin aktual të Championsit, që është tjetër dëshmi që Premier League është e pakonkurrencë. 20 klubet e këtij kampionati kanë shpenzuar së bashku tre miliardë funte në afatin kalimtar veror. Klubet elitare angleze kanë shpenzuar më shumë se klubet e Bundesligës, La Ligës, Serie A dhe Ligue 1 së bashku.

Ka pasur zhvillime të tjera në teknologjinë që lidhet me futbollin, me synim që vendimet e gjyqtarëve të jenë më të shpejta dhe më të sakta.