Edicioni i futbollit nuk ka përfunduar ende. Do të zhvillohen edhe dy xhiro në kualifikimet e “Euro 2024”, me ndeshjet e para që janë të premten. Në fundin e një edicioni shumë të gjatë, lojtarët kanë obligime ndaj përfaqësueseve të tyre edhe javën e ardhshme. Por disa lojtarë mund ta kenë mendjen diku tjetër, jo te ndeshjet me përfaqësueset e tyre.
Spekulimet e ditëve të fundit për një largim të mundshëm të Kylian Mbappes nga Paris Saint-Germaini kanë dominuar ballinat e gazetave në Francë. Sulmuesi i ka thënë klubit të tij se nuk do ta rinovojë kontratën që i skadon vitin tjetër. Megjithatë, selektori i Francës, Didier Deschamps, po shpreson që Mbappe të mund të qëndrojë i fokusuar edhe për pak ditë. Franca të premten luan në Portugali kundër Gjibraltarit dhe tri ditë më vonë e pret Greqinë. Të dy këto ndeshje i takojnë Grupit B të kualifikimeve, të cilit i prin Franca me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve të luajtura. Ndeshja mes Gjibraltarit dhe Francës fillon në orën 20:45.
“Çështja e Mbappes ka shkaktuar një alarm të vërtetë dhe ai është pothuajse në të gjitha gazetat për çdo ditë, gjë që nuk mund ta kontrollojmë. Ai nuk ka ndryshuar aspak dhe është stërvitur normalisht me pjesën tjetër të ekipit. Nuk kam parë ndonjë ndryshim në sjelljet e tij dhe besoj se do të jetë i fokusuar edhe për ndeshjet e këtij muaji. Me pikët e plota do të bënim një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Evropian”, është shprehur Deschamps.
Mbappe është zgjedhur kapiten i Francës përpara këtij cikli eliminator dhe ndihmoi ekipin në fitoret kundër Holandës dhe Irlandës në muajin mars. Ai pritet të jetë aduti kryesor i Deschampsit edhe ndaj Gjibraltarit inferior, ekip që ka regjistruar dy humbje në po aq ndeshje dhe renditet i fundit në grup.
“Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët, kështu që edhe ndaj Gjibraltarit do të futemi me seriozitetin më të madh. Këto janë kualifikime dhe gabimi më i vogël apo nënçmimi i kundërshtarit mund të kushtojë në rrugën drejt kualifikimit”, shtoi Deschamps.
Edhe
Deschamps: Jam i lumtur që Mbappe është kapiteni ynë
Në fakt Franca mund të pushojë disa prej lojtarëve ndaj Gjibraltarit. Ndoshta edhe Mbappen.
Dueli tjetër i Grupit B, që po ashtu zhvillohet të premten prej orës 20:45, është ndërmjet Greqisë dhe Irlandës. Greqia ka 3 pikë nga një ndeshje e luajtur. Irlanda është pa pikë dhe po ashtu ka vetëm një ndeshje deri më tani.
Edhe Përfaqësuesja e Anglisë ka regjistruar start të furishëm në eliminatore. Ka dy fitore në po aq ndeshje të luajtura dhe i prinë Grupit C me gjashtë pikë. Në mars Anglia mposhti Italinë dhe pastaj Ukrainën. Të premten prej orës 20:45, Anglia pritet ta vazhdojë rrugëtimin dhe të shkëputet në tabelë. Luan në udhëtim kundër Maltës inferiore. Pas Maltës, Anglia do të përballet me Maqedoninë e Veriut, e cila të premten mbrëma përballet në shtëpi me Ukrainën.
Për ndeshjet e këtij muaji, Anglisë do t’i mungojë mesfushori Jude Bellingham që u prezantua të enjten te Real Madridi. Selektori Gareth Southgate ka ftuar lojtarin e Crystal Palacet, Eberechi Eze për ta zëvendësuar njërin prej futbollistëve kyç të ekipit.
“Për mua është nder i madh që do ta kem rastin të debutojë me Anglinë dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin drejt fitores kundër Maltës. Synimi ynë është që edhe ndeshjet e këtij muaji t’i fitojmë dhe pastaj të jemi më të qetë për vazhdimin e kualifikimeve”, është shprehur Eze.
Ndërkohë, Turqia do të mundohet ta regjistrojë fitoren e dytë në Grupin D. Në mars fitoi 2:1 ndaj Armenisë dhe humbi 2:0 nga Kroacia.
Turqia është e treta në grup me tri pikë, një më pak se Kroacia dhe Uellsi. Të premten, Turqia është mysafire e Letonisë që zë vendin e fundit në tabelë pa pikë. Ndërkohë, Uellsi është favorit përballë Armenisë dhe mund të shkëputet në grup, duke e shfrytëzuar faktin se Kroacia të dielën do të luajë në finalen e Ligës së Kombeve.
Edhe
Deschamps merr përgjegjësinë për pjesën e parë të papranueshme në ndeshjen e tij të fundit si përzgjedhës
Zvicra konsiderohet favorite e madhe në ndeshjen që e luan në udhëtim kundër Andorrës në kuadër të Grupit I, në të cilin ka tubuar gjashtë pikë deri më tani.
Dueli i vetëm që të premten do të luhet prej orës 18:00 në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” është ai ndërmjet Finlandës dhe Sllovenisë, i cili i takon Grupit H.