Granit Xhaka qesh kur ia kujtojnë golin, të cilin e shënoi për Arsenalin kundër Manchester Untiedit në muajin prill. Gjuajtja e fuqishme nga afro 23 metra – që u votua nga tifozët si goli i sezonit – ia siguroi Arsenalit fitoren 3:1. Gëzimi që u përcoll pas shënimit dukej si një moment i madh për Xhakën, i cili ishte shumë afër largimit vetëm pak vite më parë kur pati debat me tifozët pasi u zëvendësua nga Unai Emery në barazimin 2:2 me Crystal Palacen në tetor të vitit 2019.
Derisa Xhaka largohej nga fusha nën vërshëllimat e turmës në stadiumin “Emirates”, mesfushorit kjo nuk i pëlqeu dhe lëshoi fjalë fyese drejt tifozëve të Arsenalit gjatë rrugës për në tunel. Nuk dukej të kishte kthim prapa dhe Xhaka që atëherë kishte pranuar se e ka gati valixhen dhe ishte rrugës për në Gjermani. Por, ka qenë trajneri Mikel Arteta që e ka bindur atë të qëndronte pasi mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Emeryt.
Xhaka që nga ajo kohë ka provuar ta rregullojë raportin me tifozët dhe goli kundër Unitedit, që erdhi në një pikë vendimtare të sezonit, ishte ura më e madhe e ndërtuar deri më tani. Tani – derisa mesfushori po përgatitet që ta nisë sezonin e shtatë me Arsenalin - thotë se është i vendosur që ta rindërtojë atë lidhje të veçantë me tifozët e klubit. .
“Kjo ka qenë ndoshta një prej momenteve më të mira brenda futbollit”, ka thënë Xhaka, derisa e kujton atë gjuajtje. “Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi tre vjet më parë. T’u jap këtë përgjigje tani që ai gol është një prej momenteve më të mira, tre vjet më parë do të thosha se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Natyrisht, ndiej më shumë dashuri nga tifozët. Nga ana ime po mundohem të ndërtoj diçka me ta, por kjo do kohë natyrisht. Por e kam një ndjesi se jemi në rrugë të mirë”.
Xhaka, po ashtu, shtoi: “Shumë njerëz më pyesin ‘se a ishte Graniti më i mirë në sezonin e kaluar qëkur ke arritur këtu?’, por unë nuk kam pasur kurrë probleme me këtë klub, jo me bashkëlojtarët, jo me njerëzit e klubit, ishte vetëm ky moment në ndeshjen kundër Palacet. Gjithçka tjetër ka qenë në rregull me këtë klub. Njerëzit e shohin vetëm këtë moment dhe janë të dëshpëruar dhe i harrojnë pesë vjetët e tjerë të kaluar, por kjo është pjesë e historisë”.
Edhe
Xhaka: Arteta më donte, Arsenali jo
Xhaka shpeshherë nuk është kuptuar tek Arsenali. Ai beson se në mesin e tifozëve anglezë është ndjenja se lojtarët nuk mërziten për futbollin, se ata e kanë vetëm një moment pas humbjeve apo paraqitjeve të dobëta dhe vazhdojnë tutje. Kjo është një pasqyrë që shpreson që të ndryshojë pasi tifozët ta shohin dokumentarin “All or Nothing”. Aty jepen pamje të lojtarëve se çfarë ndodh më vonë, me kamerat që e përcjellin Xhakën edhe në shtëpinë e tij ku shihen gruaja dhe dy fëmijët.
Mesfushori është ndarë i lumtur që është paraqitur një pjesë e pamjeve të jetës së tij familjare dhe dëshiron që tifozët ta kenë mundësinë të jenë më afër lojtarëve në të ardhmen, derisa beson se mund ta ndryshojnë opinionin dhe tifozët ta shohin se sa shumë lojtarët kujdesen në fakt.
“Njerëzit që nuk na shohin në stërvitje nuk e dinë se sa shumë punojmë ne”, ka insistuar Xhaka. “Ata na shohin vetëm gjatë 90 minutave. Çdo njeri e ka ditën e mirë dhe të keqe. Për këtë kam folur me klubin dhe u kam thënë ‘pse të mos i sjellim tifozët të paktën një herë në javë në mënyrë që të na shohin se si stërvitemi?’. Nuk është se ne vijmë për ta humbur kohën tonë dhe më pas nuk mërzitemi pas 90 minutave. Ne jemi të ndjeshëm më shumë sesa njerëzit mendojnë. Ne nuk mund të flemë pasi humbim një ndeshje. Nuk ka rëndësi nëse jemi në shtëpi apo mysafir. Askush nuk mund ta shohë këtë. Kjo më dëshpëron shumë, e edhe më shumë kur ata thonë ‘nuk jemi gjithçka për klubin, ti e bën këtë, e ke bërë këtë’. Kjo nuk ka kuptim. Është shumë e vështirë në Angli për t’i sjellë njerëzit në qendrat stërvitore. Në Gjermani është ndryshe, keni dy, tre, katër mijë tifozë që vijnë çdo ditë”.
Si 29-vjeçar, Xhaka është një prej më të moshuarve në skuadrën e Arsenalit. Përderisa Mikel Arteta ka pastruar skuadrën qëkur ka ardhur në krye të ekipit dhe ka larguar thuajse të gjithë që kanë qenë në kohën e Arsene Wengerit apo Unai Emeryt, Xhaka ka mbetur në ekip. Ai ishte shumë afër largimit edhe verën e kaluar, me Romën që ishte e vendosur për të, por Xhaka qëndroi dhe tani pritet të luajë rol vendimtar edhe një herë tjetër, me Arsenalin që synon përmirësimin nga sezoni i kaluar kur përfundoi në vendin e pestë në Premier League.
“Me Rob Holdingun dhe Hectorin, mendoj se jam i vetmi prej gjashtë apo shtatë vjetëve më parë, të gjithë të tjerët janë të rinj”, ka thënë ai. “Kjo më bën shumë krenar. Jemi duke ndërtuar diçka shumë të veçantë me projektin e Mikelit. Është keq që kam vetëm edhe dy vjet në kontratë. Të shohim se çfarë do të ndodhë pas dy vjetësh, por unë shoh një të ardhme shumë të ndritur për këtë klub”.
Edhe
Xhaka para katër vjetësh kishte menduar kthimin në Gjermani
Po ashtu, Xhaka insistoi se mosha për të është vetëm numër.
“Është viti im i shtatë këtu. Kam parë gjëra të mira, kam parë gjëra të këqija. Pas asaj që ka ndodhur me mua në dy-tre vjetët e fundit, po mundohem të kthehem sa më fort që është e mundur, me djemtë e rinj natyrisht. U jap respekt dhe më respektojnë po ashtu. Mundohem që ta trajtoj secilin njësoj, pavarësisht moshës. Për mua, mosha është vetëm numër. Në fund të fundit, duhet ta tregosh veten në fushë, nuk ka rëndësi nëse je 18, 30 apo mbi 35 vjeç. Nëse e meriton të luash, do të luash. Nëse nuk luan, nuk e meriton. Nuk jam person që i shikoj numrat shumë dhe për këtë jam i sinqertë”.