Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka: Arteta më donte, Arsenali jo

Ylli i shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, ka thënë se ka qenë trajneri Mikel Arteta, i vetmi person që e ka dashur tek Arsenali, në vitin 2019, kur Xhaka pati tensione e përplasje me tifozët e klubit.

Mesfushori i Zvicrës u largua nga “Topçinjtë” këtë verë për t’iu bashkuar Bayer Leverkusenit.

“Klubi më dha pak respekt edhe kur isha kapiten. Ishte e qartë se donin të më hiqnin qafe sa më shpejt që të mundnin, përveç një personi: Mikel Arteta. Kur e takova për herë të parë, valixhet i pata bërë gati dhe isha krejt gati të ikja me aeroplan. Me zemër dhe shpirt, tashmë isha larguar nga Arsenali. I thash ‘zgjidhja është që të shkoj’. Mikeli më tha se donte që të rrija. Por s’isha i sigurt. E kujtoj se si kam folur me babanë tim. Për herë të parë, ai më tha të ikja. Më tha se s’kam të ardhme tek Arsenali. Nuk mund ta imagjinoja që të luaja sërish tek Arsenali. I thash ‘vetëm dua të jem diku ku tifozët nuk më fishkëllejnë’. Por ai ishte aq bindës”, ka rrëfyer Xhaka për “The Athletic”.

Xhaka ka thënë se diskutimi me Artetën e bindi që të qëndronte edhe për tre vjet tek Arsenali.

“Ishte hera e parë në jetë që vendosa diçka pa folur fillimisht me familjen. U ngrita dhe thashë ‘Do të rri’. U përqafuam, dhe nga ajo ditë, u ktheva në stërvitje dhe ishte sikur s’ka ndodhur asgjë e keqe”, ka shtuar ai në rrëfim.

Xhaka u kthye dhe riktheu edhe përkrahjen e tifozëve. Ai këtë verë u largua si një nga futbollistët më të dashur në Londër.

Artikuj të ngjashëm