Granit Xhaka ka zbuluar periudhën e tij më të vështirë te skuadra e Arsenalit. Mesfushori gjatë këtij afati kalimtar u largua nga Arsenali pas shtatë vjetësh për t’u kthyer në Bundesligë, por te skuadra e Bayer Leverkusenit.
30-vjeçari ka pranuar se kurrë nuk kishte besuar se do të luante më me fanellën e ekipit anglez pas atij episodi të hidhur, duke thënë se kishte kërkuar largimin nga klubi dhe kishte arritur marrëveshje në parim me Herthan e Berlinit. Ishte kjo në tetor të vitit 2019, kur Xhaka u konfrontua me tifozët e Arsenalit derisa po largohej nga fusha për t’u zëvendësuar në duelin kundër Crystal Palacet.
Ai ndjeu se po kritikohej dhe vërshëllehej padrejtësisht dhe bëri një reagim të pahijshëm ndaj tyre. Në fakt, Xhaka ka pranuar se kjo ishte edhe periudha më sfiduese në karrierën e tij si futbollist. Xhaka ishte prekur shumë nga reagimi i tifozëve dhe kishte marrë vendim që të largohej nga Arsenali duke insistuar se nuk kishte kthim prapa.
“Reagimi i tifozëve me goditi thellë. Madje, e ndjeva plotësisht të pamundur që të luaj sërish për Arsenalin, në veçanti për tifozët, të cilët sipas meje më vërshëllyen pa arsye”, ka kujtuar Xhaka momentin e vështirë te klubi nga Londra. “Pas atij incidenti me tifozët, bisedova me babanë tim. Për herë të parë, ai më tha se ka përfunduar gjithçka këtu dhe duhet të largohesha. Madje, u përgatitem për lëvizjen e radhës dhe arritëm marrëveshje me Herthan”.
Megjithatë, në atë periudhë, në krye të Arsenalit, erdhi trajneri Mikel Arteta. Xhakës po ashtu i ishte hequr shiriti i kapitenit pas atij incidenti dhe të gjithë prisnin largimin e tij nga klubi. Mirëpo, jo edhe Arteta, i cili më të kuptuar situatën reagoi menjëherë. Ai bëri të pamundurën për ta bindur Xhakën që ta vazhdojë rrugëtimin e tij tek Arsenali dhe ia doli mbanë. Nën urdhrat e Artetas, Xhaka u shndërrua në njërin prej lojtarëve kryesorë të ekipit.
Edhe
Prej problematikut në hero: Rikthimi i jashtëzakonshëm i Xhakës tek Arsenali
“Nuk e di se si, por Arteta më bindi të mos largohesha. Për herën e parë në jetën time, e mora një vendim pa u këshilluar me prindërit. Pra, vendosa të qëndroja pas insistimit të Artetas”, ka shtuar Xhaka, i cili me paraqitjet e mira i bëri sërish tifozët për vete. “Ndoshta, futbolli anglez nuk ka parë kurrë një kthesë të tillë të ndjenjës së tifozëve”.
Xhaka ishte pjesë e Arsenalit prej vitit 2016, kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu, ndërsa karrierë ka bërë edhe te skuadra e Baselit. Ai ka kontratë me Leverkusenin deri në verën e vitit 2028. Me fanellën e Arsenalit, Xhaka regjistroi 297 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar 23 gola dhe asistuar 29 herë.