Sport

Prej problematikut në hero: Rikthimi i jashtëzakonshëm i Xhakës tek Arsenali

Kohës së Granit Xhakës tek Arsenali duket se i ka ardhur fundi. Mesfushori po shtyn për një rikthim në Gjermani dhe klubi i Londrës veriore është në bisedime të avancuara me Bayer Leverkusenin për një marrëveshje në vlerë prej 15 milionë eurosh. Nëse transferimi finalizohet, Xhaka do t’i japë fund aventurës shtatëvjeçare në Arsenal. Jo shumë kohë më parë, shumica e tifozëve të Arsenalit do ta kishin çuar me kënaqësi Xhakën në Gjermani vetëm për ta larguar atë nga klubi, por tani ai pritet të marrë një ovacion të fortë nga 60,000 mijë tifozët në “Emirates Stadium” në atë që ka shumë të ngjarë të jetë ndeshja e tij e fundit për klubin, të dielën kundër Wolverhamptonit. Përpara asaj që duket të jetë një ditë emocionale për Xhakën, po e hedhim një vështrim në momentet kulminante dhe të ulëta të kohës së tij dramatike tek Arsenali.

Firmosja me Arsenalin

Arsenali e transferoi Xhakën nga Borussia Moenchengladbach në muajin maj të vitit 2016.

“Granit është një lojtar i ri emocionues, tashmë me përvojë të mirë në Ligën e Kampionëve dhe Bundesligë”, pati thënë Arsene Wenger. “Ne e kemi përcjellë atë për një kohë të gjatë dhe ai është një lojtar që do t’i shtojë kualitet skuadrës sonë”.

Tifozët e Arsenalit kishin kohë që bënin thirrje për transferimin e një mesfushori me tipare mbrojtëse, ndaj “kapja” e 23-vjeçarit u prit me shumë emocione.

Starti i ngadalshëm

Fillimi i Xhakës në Arsenal nuk ishte aspak i lehtë. Duke pasur parasysh se “Topçinjtë” kishin shpenzuar 35 milionë funte për ta sjellë atë nga Gjermania, shumica prisnin që ai të ishte menjëherë titullar, por nuk ishte kështu. Në fakt, Xhaka filloi vetëm gjashtë ndeshje në ligë para dhjetorit gjatë edicionit të tij debutues në Angli, që ishte një zhgënjim për të.

“Nuk ka të bëjë me cilësinë e tij për momentin pasi ai përshtatet me ritmin e lojës angleze”, tha Wenger. “Për mua, ka të bëjë me çiftet që punojnë së bashku. Francis Coquelin dhe [Santi] Cazorla kanë punuar mirë së bashku. Ai do të luajë ndeshje dhe çdo javë po bëhet më i fortë dhe më i mirë. Ai do të ketë një ndikim të madh si lojtar”.

Goli i parë

Goli i parë i Xhakës me fanellën e Arsenalit erdhi në fitoren e thellë 4:1 kundër Hull Cityt, në shtator të vitit 2016. Pasi hyri si zëvendësues në pjesën e dytë, mesfushori nuk hezitojë të gjuajë fuqishëm nga distanca me këmbën e majtë për ta dërguar topin në këndin e epërm të portës në minutën e fundit të ndeshjes. Ishte një gol, me të vërtetë i mrekullueshëm.

Kartonët e kuq dhe kritikat e Wengerit

Image

Xhaka mbërriti me reputacionin e një lojtari gjaknxehtë dhe nuk iu desh shumë kohë për ta konfirmuar atë. Ai u përjashtua dy herë brenda gjashtë muajve të tij të parë si lojtar i Arsenalit dhe pas përjashtimit të tij të dytë, në duelin kundër Burnleyt, Ëenger i befasoi të gjithë duke pranuar në thelb se mesfushori mbrojtës për të cilin kishte shpenzuar shumë para, nuk mund të bënte ndërhyrje siç duhet.

“Ai nuk është natyrshëm një lojtar i madh sa u përket ndërhyrjeve”, tha trajneri i Arsenalit. “Në vendimmarrjen e tij, ai është mjaft inteligjent në fushë. Por është më shumë mënyra se si ai ndërhyn që nuk është vërtet bindëse. Ai nuk e zotëron mirë teknikën. Unë do ta inkurajoja atë të mos bëjë ndërhyrje, por të qëndroj në këmbë”.

Trofeu i parë

Edicioni debutues i Xhakës në Angli mund të ketë qenë me ulje dhe ngritje, por sigurisht që përfundoi me një nivel të lartë dhe mënyrën më të mirë të mundshme në “Wembley”. Pakkush i dha Arsenalit ndonjë shans në finalen e Kupës FA kundër Chelseat, por u befasuan të gjithë kur “Topçinjtë” shënuan fitore të merituar me rezultatin 2:1. Xhaka bëri një paraqitje të shkëlqyer në finale teksa fitoi trofeun e tij të parë të madh me fanellën e Arsenalit.

Shiriti i kapitenit

Pasi Wenger u largua dhe u zëvendësua nga Unai Emery, ndikimi i Xhakës në Arsenal vazhdoi të rritet. Ai do të bëhej një pjesë integrale e ekipit, edhe nëse popullariteti i tij në mesin e tifozëve nuk ishte aspak i lartë. Shumë tifozë mendonin se Xhaka ishte një lojtar që simbolizonte rënien e Arsenalit për shkak të një sërë gabimesh të profilit të lartë që ai kishte bërë gjatë kohës së tij në klub. Por Emery e vlerësoi shumë Xhakën, dhe kjo u bë e qartë kur ai emëroi kapiten të ekipit të tij për edicionin 2019/20.

Ora më e errët

Image

Marrëdhënia e pakëndshme e Xhakës me tifozët e Arsenalit u përhap në mënyrën më brutale gjatë ndeshjes kundër Crystal Palaces në “Emirates” në tetor të vitit 2019. Tifozët të zemëruar tallnin mesfushorin, ndërsa ai po largohej ngadalë nga fusha për t’u zëvendësuar në pjesën e dytë të një ndeshjeje që kishte parë Arsenalin të humbiste një epërsi me dy gola. Xhaka ka reaguar ndaj shakave, duke u bërë gjeste të tërbuara ndaj tifozëve dhe dukej qartë se ai i shau ata. Në atë moment, Xhaka dukej se nuk kishte më rrugë kthimi. Të gjithë supozuan se ai nuk do të luante më për Arsenalin.

Heqja e shiritit

Pas incidentit kundër Crystal Palacet, trajneri Emery reagoi menjëherë duke i hequr Xhakës shiritin e kapitenit vetëm disa javë pasi ia dorëzoi atë. Ishte një vendim që shkatërroi Xhakën, i cili ndjeu se ishte lënë i vetëm të përballet me situatën e vështirë nga drejtuesit dhe klubi. Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang e zëvendësoi atë si kapiten.

Pika e kthesës

Xhaka ishte vendosur të largohej nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit 2020. Edhe pse Emery kishte filluar ta integronte sërish në ekip pas incidentit kundër Palacet, mesfushori kishte vendosur të kthehej në Gjermani. Një lëvizje te Hertha e Berlinit u ra dakord, por më pas Mikel Arteta mbërriti në krye të Arsenalit për të zëvendësuar Emeryt dhe ai ishte i vendosur të mbante Xhakën në klub. Trajneri i ri zhvilloi menjëherë bisedime me mesfushorin dhe e bindi që të qëndronte të paktën deri në fund të edicionit.

Një tjetër sukses në Kupën FA

Pasi ra dakord për të qëndruar, Xhaka u bë një lojtar shumë i rëndësishëm për Arsenalin nën urdhrat e Artetas dhe filloi të luante shkëlqyeshëm. Ai dukej sërish i lumtur dhe paraqitjet e tij ishin shumë të rëndësishme për Arsenalin që të triumfonte në Kupën FA. Xhaka ishte më i merituari për këtë sukses të ekipit dhe bëri një paraqitje të mirë në finale, pasi Arsenali e mposhti Chelsean 2:1. Pas asaj që ai kishte kaluar muaj më parë, ishte mbresëlënëse të shihje se e përfundonte edicionin ende me fanellën e Arsenalit dhe me një trofe në duar.

Kontrata e re

Kishte një mundësi të madhe që Xhaka të largohej nga Arsenali në verën e vitit 2021, me Jose Mourinhon e prirë ta transferonte te Roma. Arsenali ishte i hapur për ta lënë të ikte gjithashtu, nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme. Por kur Roma nuk arriti të arrinte shifrën që dëshironin, “Topçinjtë” në vend të kësaj i dhanë mesfushorit një kontratë të re, duke treguar se ende e vlerësonin shumë atë.

Goli kundër Unitedit

Image

Edicioni 2021/22 ishte një edicion mirë për Xhakën. Ndërsa vazhdonte, Xhaka dukej si një lojtar i ri nën Artetan, duke luajtur në një rol më të avancuar që e kishte pasur më parë në Arsenal. Popullariteti i tij me tifozët po rritej dhe kështu ishte një moment i veçantë kur ai shënoi një gol mahnitës për të vulosur fitoren 3:1 kundër Manchester Unitedit në Londër. Ai gol edhe u votua si më i miri i edicionit tek Arsenali nga tifozët.

Kënga e tifozëve

Kur Arsenali luajti në Bournemouth në fillim të edicionit 2022/23, pati një moment në pjesën e dytë kur tifozët mysafirë mund të dëgjoheshin duke e brohoritur emrin e Xhakës. Ishte kaq e dukshme sepse nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe ishte një shenjë e qartë se si ai kishte arritur t'i kthente gjërat në favor të vetin. Pastaj, në ndeshjen në Brentford në shtator, ndodhi përsëri - por këtë herë brohoritja mund të dëgjohej me zë të lartë dhe të qartë dhe u këndua pa pushim. “Kurrë, kurrë nuk e kisha menduar se kjo do të ndodhte”, tha Xhaka pas ndeshjes.

Goli në derbin e Londrës së Veriut

Xhaka tashmë po shijonte një edicion ëndrrash përpara se derbi i Londrës së Veriut të zhvillohej në tetor. Por gjërat më pas u bënë edhe më mirë kur ai doli në skenë për të shënuar golin e tretë vendimtar, teksa Arsenali mposhti rivalin e hidhur Tottenhamin 3:1 në “Emirates Stadium”. Pasi e shënoi golin, Xhaka qëndroi para tifozëve për të shijuar brohoritjet e tyre. Ishte një moment i veçantë për të.

Lamtumira triumfuese

Edhe pse Arsenali ra në pengesën e fundit dhe humbi titullin kampionit në Premier League, ky ka qenë një edicion triumfi për Xhakën. Historia e shndërrimit në hero ka qenë një nga pikat kryesore të një kampanje të jashtëzakonshme. Dhe, fakti që Xhakës duket se do t'i jepet një lamtumirë emocionale nga tifozët pas ndeshjes kundër Wolvesit të dielën, tregon se sa shumë i ka kthyer gjërat në klub. Dikur i përbuzur, tani ai përgëzohet nga të gjithë dhe kjo tregon shumë për karakterin e tij dhe edicionin që ka shijuar.