Futboll

Bayerit i duhet lokomotiva, por Xhaka duhet të jetë i sinqertë me veten

Granit Xhaka

Me fjalët e tij në fund të majit, kur paralajmëroi kthimin në një moment te Baseli, Granit Xhaka solli dyshimet e para për të ardhmen e tij te Bayer 04. Dyshimet në fillim nuk ishin shumë serioze. Tani doli një tjetër raport për një largim të afërt. Për Xhakën dhe klubin e tij, sqarimet janë urgjente

Ai ishte transferimi më i rëndësishëm para edicionit që përfundoi me dy trofetë. 15 milionë eurot që Bayer Leverkuseni i pagoi tek Arsenali për Granit Xhakën në verën e vitit 2023, ishin para të investuara mirë. Bonuset e paguara më vonë, që ishin të bazuara në performancë, bënë që transferi të kushtonte prej 20 deri në 25 milionë euro.

Në shikim të parë ishin shumë para për futbollistin gati 31-vjeçar atëbotë. Por ishte një investim brilant. Strategu i mesfushës u bë shpejt dorë e zgjatur e trajnerit Xabi Alonso dhe lojtar vendimtar. U shfaq si lider absolut në fushë dhe jashtë saj. Ai ishte lideri që përcaktonte ritmin. Shkurt: transferimi i Xhakës ishte më i rëndësishmi për kampanjën që përfundoi me titullin e parë të Bundesligës për Bayerin.

Deri tani Xhaka ishte i qartë

Kjo ndodhi edhe për faktin që lojtari foli qartë para se gjërat të dilnin jashtë kontrollit. Nëse diçka nuk po shkonte në interesin më të mirë të ekipit, dhe si rrjedhojë jo në interes të suksesit, Xhaka do të fliste hapur.

Tani nevojitet sërish qartësi – por nga vetë Granit Xhaka.

Në fund të majit ish-lojtari i Baselit ngriti çështje të madhe me deklaratën në ceremoninë e lamtumirës për Taulant Xhakën, vëllain e tij. Para ndeshjes së fundit kampionale të Baselit në “St. Jakob Park” ai iu drejtua tifozëve në stadium: “Mund t’ju them një gjë. Njëri Xhaka po largohet, tjetri do të kthehet së shpejti”.

Deklarata mund të ishte fyese për Leverkusenin

Duke pasur parasysh kontratën me Leverkusenin, që është e vlefshme deri në vitin 2028, dhe faktin se te nënkampioni i Gjermanisë planifikojnë fuqishëm ta mbajnë Xhakën, deklarata ishte fyerje për punëdhënësin aktual. Xhaka mund të jetë figura e fundit e rëndësishme e mbetur te Bayeri, nga ekipi që fitoi titullin e kampionit pa pësuar asnjë humbje.

Por pasi kthimi te Baseli nuk duket real, deklaratat e Xhakës nuk kishin ndonjë ndikim afatgjatë. Nuk u morën seriozisht. 

Megjithatë, në fillim të turneut të përfaqësueses së Zvicrës në SHBA, doli në pah një tjetër raport lidhur me largimin e Xhakës nga Bayer Leverkuseni. Burime të informuara mirë të gazetës “Blick” raportuan se kushtet në të cilat Xhaka mund të largohej nga Leverkuseni tashmë po diskutoheshin prapa dyerve të mbyllura.

Është shpërthimi i radhës publik që jep përshtypjen se Xhaka është lodhur nga puna e tij në Leverkusen, apo nuk dëshiron më të luajë për këtë skuadër.

Është situatë për të cilën as klubi e as lojtari nuk mund të jenë të kënaqur.

Është e qartë që diçka po e shqetëson Xhakën. Jo rastësisht “Kicker” shkroi, pas deklaratave të mesfushorit në Basel, se një bisedë sqaruese me Xhakën është shumë e rëndësishme, sidomos duke ditur shpërthimet e tij.

Te Leverkuseni hedhin poshtë skenarin e sugjeruar për një transferim.

“Ne planifikojmë fuqishëm të ardhmen me Granitin”, ka thënë drejtori menaxhues, Simon Rolfes, për “Kicker”. 

Mesazhi është i qartë. Por sjellja e Xhakës jo.

Me komentet në Basel, Xhaka ka siguruar një terren të duhur për raportime të tilla, pavarësisht se sa jorealist mund të jetë një kthim në Zvicër. Dikush mund të bëjë pyetjen se ku dëshiron të transferohet Xhaka, por klubet më të mira evropiane, që mund t’i pëlqejnë atij, nuk ka gjasa të trokasin në derë.

Klubet e mëdha turke, si Galatasaray, që ka shprehur interesim, nuk ka gjasa t’i pëlqejnë Xhakës pas Premier Leagues dhe Bundesligës. Vetëm një ofertë e majme nga Arabia Saudite mund ta anashkalojë racionalitetin e tregut të transferimeve.

Deri më tani as Xhaka, as përfaqësuesit e tij, e madje as edhe ndonjë klub i interesuar, nuk e kanë kontaktuar Leverkusenin.

Por kjo nuk do të thotë se çështja është hequr nga tavolina.

Përshtypja e krijuar nga fjalët e Xhakës është e rrezikshme. Për vetë Xhakën, sepse ai po rrezikon jo vetëm themelet e veprës së tij në Leverkusen. Është e rrezikshme edhe për punëdhënësin e tij, të cilit tani i duhet më shumë se vetëm besnikëri maksimale.

Bayer Leverkuseni tashmë ka mbetur pa figura të rëndësishme si Xabi Alonso, Jonathan Tah dhe Jeremie Frimpong, ndërsa Florian Wirtz pritet të largohet së shpejti. Rrjedhimisht Bayer 04 ka nevojë për Xhakën si udhëheqësin e fundit të madh të mbetur dhe si simbol i një fryme optimizmi. Si një lokomotivë që tërheq trenin me sinjale të qarta dhe pozitive. Dhe jo si kandidat në dukje i paqëndrueshëm. Ky është momenti kur Xhaka, si lojtar kryesor, duhet të flasë sinqerisht me veten.