Mesfushori Granit Xhaka ka folur për të ardhmen, pasi ditëve të fundit është përfolur për një largim të tij në verë nga skuadra e Arsenalit. 30-vjeçari ka thënë se gjithçka do të mësohet pas ndeshjes së fundit të këtij edicioni në Premier League, të cilën Arsenali e luan të dielën në shtëpi kundër skuadrës së Wolverhamptonit.
Kohët e fundit është raportuar se Xhaka do të largohet nga Arsenali për ta vazhduar karrierën në Bundesligë.
Madje, është thënë se ai tashmë ka arritur marrëveshje personale me skuadrën e Bayer Leverkusenit, e cila do t’i paguajë Arsenalit rreth 15 milionë euro për kartonin e tij.
“Do të mësoni gjithçka në javën e fundit, sigurisht. Po mendoj, se si tifozët ashtu edhe unë e meritoj një gjë tëtillë. E kemi edhe një ndeshjekëtë edicion në Premier League, të cilën fillimisht do ta shijoj dhe pastaj që do të dihet për të ardhmen time”, është shprehur Xhaka. Ai ka thënë se ka shijuar kohën e ringjalljes së tij tek Arsenali nën urdhrat e trajnerit Mikel Arteta dhe nëse konfirmohet kalimi i tij në Gjermani, atëherë do të jetë falënderues për kujtimet e tij me skuadrën londineze. Xhaka është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016 kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu dhe ka kontratë deri në vitin e ardhshëm, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Këtë edicion, ai ka qenë ndër lojtarët kryesor në ekip, ku ka shënuar 7 gola dhe ka bërë po aq asistime në 46 paraqitje në të gjitha garat.