Sport

Xhaka: Sot nuk do të deklarohesha njëjtë

Një deklaratë e Granit Xhakës pas barazimit 2:2 të Zvicrës me Kosovën kishte bërë bujë.

Ai kishte kritikuar indirekt përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, duke theksuar se intensiteti i stërvitjes nuk ishte i duhuri. Por kapiteni i Zvicrës sot nuk do të deklarohej njëjtë.

“Kam bërë një deklaratë që qartë se nuk do ta bëja sot”, ka thënë Xhaka të premten për televizionin zviceran.

Ai ka theksuar se raportet me Yakinin i ka të shkëlqyera.

“Raportet mes meje dhe trajnerit janë të shkëlqyera. Që nga dita e parë e stërvitjes kam qenë i lumtur që kemi një trajner si Yakini, prej të cilit mund të fitojmë shumë përvojë”, thotë Xhaka.

Zvicra nuk kishte kampanjë të mirë kualifikuese, por megjithatë siguroi biletën për Euro 2024.

“Pakënaqësia gjithnjë fillon me veten tonë. Nëse rezultatet nuk janë të mira, disponimi nuk është i mirë po ashtu”, ka theksuar Xhaka.

Edhe Yakin ka theksuar se nuk ka asgjë mes tij dhe Xhakës.

“Ai po ashtu është personalitet shumë interesant jashtë fushës, me të cilin mund të flas më shumë se vetëm për futbollin”, ka thënë Yakin.

Xhaka ka premtuar se Zvicra do të luaj Evropian të mirë.

“Duam të luajmë Evropian të mirë së bashku. Ne si ekip do të bëjmë çdo gjë që mundemi për të siguruar që do të jemi të suksesshëm në fund”, ka thënë Granit Xhaka.

Zvicra të shtunën prej orës 20:00 luan miqësore me Danimarkën.