Granit Xhaka aktualisht po e shijon edicionin më të mirë në karrierën e tij, me fanellën e Bayer Leverkusenit. Pas dhjetë xhirove të zhvilluara deri më tani në Bundesligë, Leverkuseni i prinë tabelës me 28 pikë, dy më shumë se kampioni në fuqi, Bayern Munichu, ekipet e vetme që ende nuk dinë për humbje në kampionat. Po ashtu, Leverkuseni ka treguar formë të mirë edhe në Ligën e Evropës, ku i prinë Grupit H me nëntë pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara.
Xhaka 31-vjeçar është njëri prej lojtarëve kyç tek Leverkuseni të trajnerit Xabi Alonso. Ai iu bashkua ekipit gjerman në verë nga Arsenali, ndërsa pothuajse është i pazëvendësueshëm në përbërjen e parë. Vetëm Alejandro Grimaldo e Edmond Tapsoba kanë minutazhë më të madhe se Xhaka, i cili në 15 paraqitje në të gjitha garat ka dhënë edhe një asistim. Edhe pse është i kënaqur me formën e Leverkusenit dhe ka besim të madh në ekip, Xhaka si lider i mesfushës ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij. Ai ka kërkuar nga ata që të qëndrojnë me “këmbë në tokë” dhe mos të mendojnë për titullin e kampionit të Gjermanisë, por të fokusohen dhe të vazhdojnë me formën e mirë.
“Jam i bindur se ekipi ynë i ri është i uritur për të arritur gjëra të mëdha. Ne e dimë që kemi bërë një punë të mirë dhe të madhe deri më tani, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Pas dhjetë xhirove asnjë ekip deri më tani nuk e ka fituar titullin e kampionit”, ka thënë Xhaka për “Sport-Bild” të mërkurën.
Xhaka ka zbuluar se edhe trajneri i Leverkusenit, Alonso pajtohet me këtë paralajmërim të tij, dhe për këtë arsye spanjolli sigurohet që ekipi mos të bazohet në suksesin e deritashëm por të vazhdojë punën me modesti.
“Alonso është shumë i siqertë me ne dhe kjo është e rëndësishme, sidomos në këtë fazë kur të gjithë pa na lavdërojnë duke thënë se po i dominojmë kundërshtarët. Nuk është lehtë të qëndrosh me këmbë në tokë kur vazhdimisht dëgjon lavdërime të tillë, por trajneri Alonso kujdeset dhe sigurohet që gjithçka të jetë në vendin e duhur”, ka shtuar Xhaka.
Para se t’i bashkohet Leverkusenit, Xhaka ka luajtur për shtatë vjet tek Arsenali, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Borussia Moenchengladbachu e Baseli. Ai ka pranuar se është një person emocional dhe se ka qarë prej gëzimit kur transferimi i tij tek Leverkuseni është finalizuar pasi ka dashur me çdo kusht të rikthehet në Gjermani. Ai me ekipin nga Bundesliga ka kontratë deri në verën e vitit 2028.
-
Xhaka i gatshëm për tjetër sezon të suksesshëm me Leverkusenin
-
Xhaka shpalos synimet e Leverkusenit, thotë se i ka të gjitha elementet për sukses
-
Xhaka shpreson që edicionin fantastik ta mbyllë me titull kampioni
-
Xhaka: Nuk kemi fituar ende asgjë
-
Xhaka tregon se prej nga buron ambicia e tij e pakrahasueshme