Granit Xhaka ka pasur kampanjë mbresëlënëse deri tani me skuadrën e Leverkusenit. Xhaka ka thënë se forma e lartë nuk do të vlente nëse Leverkuseni nuk do të shpallej kampion në fund.
“Kur përfundon pjesa e parë e edicionit mësohen shumë gjëra. Tani janë rritur pritshmëritë nga tifozët dhe nga ne. Por duhet t’i mbajmë këmbët në tokë, kurse duhet të bëjmë më shumë sesa kemi bërë deri tani. Duhet të punojmë fort, ditën e natën, për ta bërë realitet suksesin. Duhet që t’i mbajmë edhe tifozët afër. Tifozët ëndërrojnë njësoj si ne, por ne ende nuk kemi fituar asgjë dhe nëse e arrijmë suksesin në fund, do të festojmë bashkë”, ka thënë Xhaka në një intervistë të gjatë dhënë për faqen zyrtare të Bayer Leverkusenit.
Leverkuseni pas 16 ndeshjeve të luajtura është lider në Bundesligën gjermane me 42 pikë. Ka katër pikë më shumë se Bayern Munichu i vendit të dytë, që e ka zhvilluar një ndeshje më pak.
Mesfushori Xhaka vetëm sa i është kthyer punës me skuadrën gjermane pas pushimit të shkurtër dimëror. Dhe për Xhakën ky pushim ishte i veçantë. Ai në shtatë edicionet e kaluara ishte futbollist i Arsenalit. Rrjedhimisht nuk ka pasur pushim gjatë festave të fundvitit, periudhë që në Angli është e ngarkuar me ndeshje. Ndryshe ka qenë në fundin e vitit të kaluar.
“Isha shumë i lumtur që kisha pushim dimëror për herë të parë në shtatë vjet. Por doja të kthehesha në fushë pas dy apo tri ditësh, sepse jam mësuar të luaj në dimër. Shkova në Londër për të vizituar shoqërinë që kam atje dhe e pashë ritmin në të cilin janë ata dhe adrenalinën që kanë. Por kam kaluar kohë të mirë edhe me familjen dhe jam i lumtur që u ktheva. Më pëlqen dimri. Kam vizituar edhe vëllain në Bazel dhe kam kaluar kohë të shkëlqyer”, ka shtuar mesfushori.
Edhe
Xhaka gjen formën më të mirë, i gatshëm për suksese tjera me Leverkusenin
Xhaka e di se koha e pushimit ka mbaruar dhe tani i pret punë e madhe. Ai nuk e ka ditur se kthimi në Gjermani do të ishte kaq i suksesshëm. 31-vjeçari karrierën e ka nisur te Baseli dhe më pas ishte transferuar te Borussia Moenchengladbachu në Bundesligë.
“E kam njohur Gjermaninë dhe kam luajtur më parë. Por jam shumë i kënaqur që jam kthyer. Leverkuseni është klub i madh, ka njerëz të mirë këtu dhe puna është duke shkuar shumë mirë. Natyrisht kur fiton ndeshje gjithçka bëhet më e lehtë. Ishte hap i përkryer për mua, për familjen time. Tani natyrisht se po shohim për javët që i kemi para”, tha Xhaka duke pranuar se nuk do të jetë e lehtë gara për titull.
Pas pak ditësh do të nisë Kupa e Afrikës. Do të jenë katër lojtarë të Leverkusenit që do të luajnë me Përfaqësueset e tyre. Por, kjo nuk do të jetë problem, sipas Xhakës. Ai thotë se kushdo që luan, e jep më të mirën për fanellën.
Xhaka është prej lojtarëve me statistikat më të mira në Bundesligën gjermane. Për këtë ai është shumë i lumtur.
“Unë jam i lumtur këtu me bashkëlojtarët, me klubin dhe të gjithë që punojnë në klub. E kam ndjenjën se jam i nevojshëm dhe ka qenë faktor i madh që unë vendosa të vija këtu. Natyrisht, mundohem që ta përdor eksperiencën që e kam marrë dhe të jap diçka për klubin. Nuk kam pritur që gjërat të shkojnë kaq mirë, sepse mendoj se merr kohë derisa të njihesh me bashkëlojtarë. Por gjashtë muajt e parë kanë qenë të shkëlqyer dhe shpresoj që kohë më të mira po vijnë”.
Xhaka ka thënë se roli i mesfushorëve është shumë i vështirë pasi gjithmonë je i rrethuar me bashkëlojtarë e kundërshtarë. Por, bisedat e hapura dhe të drejtpërdrejta me trajnerin Xabi Alonso ka thënë se po japin frytet e veta.
Edhe
Leverkuseni i frikshëm me Xhakën: Është e vështirë të na ndalin
Xhaka ende nuk ka shënuar gol me Leverkusenin, por shpreson që të arrijë të gëzohet sa më shpejt. Është një prej synimeve që ka për vitin 2024.
“Mezi pres të shoh se si do të përfundojë kampionati. Më pas vjen Evropiani dhe do të jetë e veçantë, sepse me Zvicrën luajmë këtu në Gjermani, e edhe më e veçantë është se Gjermania është në grupin tonë”, deklaroi Xhaka, që është duke përfunduar edhe trajnimet për t’u pajisur me licencën e trajnerit.