Bayer Leverkuseni është lider i klasifikimit në Bundesligë. Nuk ka pësuar ende humbje këtë edicion dhe ishte shumë efektiv në fitoren 3:0 ndaj Eintracht Frankfurtit, të dielën.
“Unë dhe ekipi nuk e kemi pasur ndjenjën se ishim në rrezik”, ka thënë Granit Xhaka për “Bild”.
Xhaka, 31-vjeçar, po shkëlqen te Leverkuseni. Është yll i skuadrës, sipas gazetës së madhe gjermane.
Me 736 pasime, Leverkuseni ka shkatërruar Eintracht Frankfurtin.
Xhaka është shquar me angazhimin, si zakonisht. Ka vrapuar 12.7 kilometra, si asnjë lojtar tjetër.
Edhe
Xhaka: E pabesueshme çfarë kemi bërë, tani synojmë finalen
“Në pjesën e dytë kemi bërë atë që na ka bërë të fortë gjatë gjithë kampionatit. Kemi luajtur thjesht, kemi lëvizur shumë pa top, kemi bërë presion të lartë dhe nuk i kemi lënë kundërshtarit thuajse aspak hapësirë për të marrë frymë. Mund të jemi shumë, shumë krenarë me veten”, ka shtuar Xhaka.
Sipas Xhakës, te Leverkuseni duhen të jenë më të durueshëm.
“E kemi bërë këtë shumë më mirë në pjesën e dytë se në pjesën e parë”.
Xhaka ka pranuar se Bayer Leverkuseni aktualisht po duket i pandalshëm.
“Natyrisht, është shumë vështirë të na ndalin në këtë moment, pasi po paraqitemi shumë mirë. Shpresojmë se do të vazhdojmë kështu”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.
Edhe
Xhaka shpreson që edicionin fantastik ta mbyllë me titull kampioni
Gjatë Kupës së Afrikës, Leverkuseni mund të mbetet pa pesë lojtarë. Por mesfushori është i bindur se kjo mund të kalohet me sukses.
“Është me rëndësi që të vazhdojmë të punojmë kështu dhe të ndihmojnë lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, apo ata që mund të vijnë në dimër. Por nuk jam shumë i brengosur për këtë, për të qenë i sinqertë”.
Leverkuseni i ka mbledhur 39 pikë nga 15 ndeshje. Ka 12 fitore e tri barazime. Bayerni është i dyti me 35 pikë nga 14 ndeshje. Pason RB Leipzigu me 32 pikë e Stuttgarti me 31 pikë.
Të mërkurën Leverkuseni e pret Bochumin në kuadër të xhiros së 16-të të kampionatit gjerman. Më pas nuk ka ndeshje në Bundesligë deri më 12 janar. Pas xhiros së 16-të është periudha festive, me të cilën Xhaka nuk është mësuar tek Arsenali. Në Angli periudha e festave të fundvitit është shumë e ngarkuar me ndeshje.
“Jam më i lumturi në gjithë klubin për shkak të festave. Nuk kam pasur pushim në këtë periudhë në shtatë vjetët e kaluar. Kështu që kjo është mirë për mua dhe për familjen time. Do të shijoj pushimin, por do të mundohem të kthehem sa më i përgatitur për të vazhduar të luaj në këtë nivel”.
Edhe
Leverkuseni me Xhakën, favorit sekret për titull kampioni
Xhaka e thekson atë që e dinë të gjithë: “Askush nuk ka fituar titull në dimër”.
Por, Leverkuseni me Xhakën në mesfushë tani është kandidat shumë i fuqishëm për titull.