Pritshmëritë ishin të mëdha, ndërsa përgjigjja e të udhëhequrve nga trajneri Xabi Alonsi ishte e jashtëzakonshme. Fillimi i kampionatit për skuadrën e Bayer Leverkusenit doli të jetë impresiv. Bayer Leverkuseni fitoi me rezultatin 3:2 në ndeshjen e xhiros së parë përballë ekipit të Leipzigut, fituesit të Superkupës së Gjermanisë. Si rezultat i paraqitjes së mirë të shtunën, Bayer Leverkuseni tani po konsiderohet në Gjermani si favoriti sekret për titullin e kampionit. Dhe, vendimtar në këtë paraqitje të ekipit ishte edhe mesfushori shqiptar që përfaqëson Zvicrën, Granit Xhaka.
“Kemi parë ndikimin e qartë në stabilitet, kualitet dhe në posedim. Ne mund t’i përdorim sulmuesit tanë më shumë nëse bëjmë një strukturë dhe kontroll edhe më të mirë. Do të kishim edhe më shumë shanse”, ka thënë pas ndeshjes trajneri 41-vjeçar i Leverkusenit, Xabi Alonso.
Ylli Granit Xhaka ishte prej më të mirëve në fushë kundër skuadrës Leipzigut. Xhaka, 30-vjeçar, ishte udhëheqës i mesfushës që në ndeshjen e parë, ashtu edhe siç e kishte parashikuar trajneri Alonso kur e transferoi. Me paraqitjen që Xhaka e pati, përvojën dhe qëndrimin e tij në fushë, futbollisti i Zvicrës mund të luajë rol tejet të rëndësishëm për ekipin e Alonsos në luftën për titullin e kampionit dhe trofe të tjerë këtë edicion. Pas shtatë vjetësh të kaluara tek Arsenali, ish-futbollisti i Borussia Moenchengladbachut, është kthyer shumë i fortë në Bundesligë. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e jashtëzakonshme në duelin ndaj Leipzigut. Mbuloi vrapim prej 11.7 kilometrave, pati 63 vrapime intensive, 16 herë ishte në sprint, kurse shpejtësinë maksimale e pati 29.46 km/h. Saktësinë e pasimeve e pati me 86.4 për qind, ndërsa fitoi edhe gjashtë duele. E me ndeshjen e tij të parë në Bundesligë pas shtatë vjetësh, është ndarë i kënaqur edhe Xhaka. Ai tha se Leverkuseni tashmë ka paralajmëruar skuadrat tjera me atë që tregoi në fushë kundër Leipgizut.
“Të gjithë kanë dëshirë për një fillim të tillë të sezonit. Edhe rikthimi në Bundesligë ishte i mirë. Pjesa e parë ishte e mirë për ne. Dëshironim të ishim agresiv dhe të dërgojmë sinjal për ekipet tjera që në ‘BayArena’ të mos shpresojnë për diçka”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes.
Lëvdata për paraqitjen e Bayern Leverkusenit dha edhe mesfushori Yussuf Poulsen.
Edhe
Paraqitja e Xhakës vlerësohet brilante, ai flet për ndeshjen me Bayernin
“Leverkuseni ishte shumë i mirë, na vunë në vështirësi dhe na bënë presion. Nuk fituam duelet dhe nuk sulmuam shumë në thellësi”, ka thënë reprezentuesi i Danimarkës. “Nëse Leverkuseni mund të luajë kështu gjatë gjithë kohës, padyshim se do të jetë në krye të tabelës. Janë pak ekipe që rrezikojnë të mbrohen lojtar për lojtar”, deklaroi Poulsen.
Xhaka në këtë afat kalimtar të verës iu bashkua Leverkusenit për 20 milionë euro dhe me ekipin gjerman firmosi kontratë deri në verën e vitit 2028. Në xhiron e dytë të Bundesligës, Leverkusneni luan në udhëtim te Gladbachu, ish-ekipi i Xhakës. Xhaka luajti për katër edicione te Gladbachu (2012/2016), ekip të cilit iu bashkua nga Baseli.