Mesfushori Granit Xhaka nuk e fsheh gëzimin për rezultatet shumë të mira me Bayer Leverkusenin në Bundesligë të Gjermanisë. Por ai është i matur kur pyetet nëse Leverkuseni mund ta fitojë titullin e kampionit në Gjermani. Kapiteni i Zvicrës insiston se është ende herët për t’u diskutuar çështja e kampionit.
“Nuk kemi fituar ende asgjë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë. Le të shohim se ku do të përfundojmë. Gjithçka është e mundur në futboll”, ka thënë Xhaka pas fitores që Leverkuseni e arriti të shtunën kundër Werder Bremenit në udhëtim me rezultatin 3:0.
Xhaka u paraqit deri në minutën e 89-të në mesfushë të ekipit të udhëhequr nga legjenda spanjolle, Xabi Alonso. Me fitoren e arritur kundër Werderit, Leverkuseni është forcuar në vendi ne parë me 34 pikë, dy më shumë se gjiganti Bayerni.
Xhaka ka vlerësuar ekipin dhe mentalitetin që lojtarët e shfaqin në fushë.
“Ne kemi një ekip të madh, një trajner të madh dhe mentalitet të madh”, ka theksuar ai.
Edhe
Xhaka e vlerëson ende të hapur garën për titull
31-vjeçari sërish ka thënë fjalë të mëdha për trajnerin Alonso. Ai thotë se mëson shumë nga ish-mesfushori i Liverpoolit, Realit dhe Bayernit.
“Unë mësoj prej tij çdo ditë. Është shumë kënaqësi. Ai ka qenë një lojtar i klasit botëror. Është si një ëndërr për mua të paraqitem nën urdhrat e tij”, ka thënë Xhaka.
Xhaka vlerësohet lider i Leverkusenit në fushë.
Drejtori menaxhues i Leverkusenit, Simon Rolfes, thotë se cilësia e Xhakës e ndihmon shumë skuadrën. Xhaka ka luajtur 18 ndeshje me fanellën e klubit gjerman.
“Cilësia e Granitit është e paracaktuar për llojin e futbollit që duam të luajmë”, ka thënë Rolfes.
Edhe
Xhaka shpalos synimet e Leverkusenit, thotë se i ka të gjitha elementet për sukses
“Është e rëndësishme të zotëroni situata të ndryshme të lojës. Lidhja e mirë e kapitenit të Zvicrës me trajnerin Alonso është një komponent i rëndësishëm”, ka vazhduar Rolfes.
Xhaka iu bashkua Leverkusenit në verë nga skuadra e Arsenalit. Më herët karrierë ka bërë edhe te Borussia Moenchengladbachu dhe Baseli. Me Leverkusenin ka kontratë deri në vitin 2028.