Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka nuk kishte besuar se do të rregullohej marrëdhënia me tifozët e Arsenalit

Mesufshori kosovar Granit Xhaka në tetor të vitit 2019 kishte prekur pikën më të ulët në karrierën e tij me Arsenalin.

Derisa po zëvendësohej në ndeshjen ndaj Crystal Palacet, ai ishte fishkëllyer nga tifozët, kjo shtyu Xhakën që të duartrokiste me ironi dhe  të fyente tifozët.

Si pasojë e atij veprimi Xhakës i ishte marrë shiriti i kapitenit. Ai kishte menduar të largohej.

“Babai im kurrë nuk ka qenë person që ka lënë diçka që nuk kemi përfunduar. E për herë të parë më tha: ‘Është koha të largohemi’. Ishte befasi e madhe për mua”, ka treguar Xhaka në një intervistë për “Sportsmail”.

Kanë kaluar tri vjet që nga atëherë, ndërsa tifozët e Arsenalit tash po e duartrokasin Xhakën. Madje edhe i kanë thurur këngë.

Edhe Xhaka: Fishkëllimat e tifozëve më bënë më të fortë Futboll Xhaka: Fishkëllimat e tifozëve më bënë më të fortë

Xhaka nuk kishte besuar se do të rregullohej marrëdhënia me tifozët.

“Nuk mund të pretendoj se marrëdhënia ime me tifozët do të jetë e njëjtë, pasi ai moment gjithmonë do të jetë në zemrën time”, kishte thënë Xhaka në prill.

Kur Xhaka pyetet për atë deklaratë, mendja i shkon te një muaj më parë, kur shkëlqeu në fitoren 3:0 ndaj Brentfordit.

Tifozët e Arsenalit nisën të këndonin “Ne kemi – Granit Xhakën!”.

“Ata nisën të këndonin dhe jam shumë falënderues. Herën e parë që kënduan, kundër Brentfordit, isha emocional, nuk e prisja. Për mua do të thotë shumë. Më duhet të ndjejë dashurinë e tifozëve. Këtë po e ndjej tash dhe për këtë arsye po përformoj kështu”, ka thënë Xhaka.

Xhaka aktualisht është duke studiuar për licencën B të UEFA-s për trajner. Ai thotë se kur stërvitë të rinjtë shpesh e pyesin për rastin që ndodhi në ndeshje ndaj Crystal Palacet.

“Edhe sot kur stërvisë të rinjtë, ata më pyesin për këtë. Nuk është vetëm storia ime apo e klubit. Të gjithë të rinjtë e panë atë moment. Por jam falënderues, pasi dua t’u jap diçka atyre po ashtu, e t’u tregoj se çdo gjë është e mundur”, tha Xhaka.

Ai po gëzon formë shumë të mirë, ndërsa Arsenali po kryeson renditjen në Premier League pas 9 ndeshjeve.

Xhaka thotë se gjatë tri vjetëve të fundit ka mësuar një gjë, që duhet ndarë puna nga jeta private.

“Më e rëndësishmja që kam mësuar këto tri vjetët e fundit, është se duhet ta ndash profesionin nga familja. Më herët çdo gjë që ndodhte në fushë e merrja me vete në shtëpi. Jo në mënyrë agresive, por emocionale. Kur humbja, nuk isha në gjendje të flisja. Por, tash është pikturë tjetër. Graniti në shtëpi është ndryshe nga ai në fushë”, tha Xhaka.

Xhaka në intervistë për “Sportsmail” ka folur për të kaluarën e tij, e po ashtu për sfidat e familjes, përfshirë arrestimin e babait të tij Ragibit nga forcat serbe.

Edhe Xhaka: Arteta më donte, Arsenali jo Sport Xhaka: Arteta më donte, Arsenali jo

“Ajo që kaloi babai im sigurisht se nuk është normale. E pyesja fillimisht, ai më tregonte pak. Kurrë nuk më tregonte storien e plotë. Kur u rrita, më jepte më tepër informata, por besoj se ende ka shumë për të treguar. E ndjen kur flet me të”, ka thënë Xhaka, që ka treguar se babai i tij ishte burgosur për tri vjet e gjysmë në ish-Jugosllavi pasi mori pjesë në protestat e 80-ave.

Ai ka treguar se si arrestimi i tij kishte ndodhur afro një javë pasi babai e nëna e tij ishin takuar.

Babai i Xhakës me familje kishte migruar në vitin 1990.

Graniti ka treguar se si nuk ishte takuar me xhaxhin e po ashtu me gjyshërit, derisa kishte mbushur 12 vjet.

“Hera e parë që pash xhaxhin tim, gjyshen dhe gjyshin ishte kur mbusha 12 vjet. Ata nuk kishin parë familjen e tyre dhe vëllezërit për 12 vjet. Sot ke FaceTime dhe aplikacione të ndryshme në telefon dhe mund të flasësh sa të duash. Por, në atë kohë shkonim në kabinë telefonike vendosnim para dhe flisnim. Flisje por s’mund t’i shihje”, tha Xhaka.

Xhaka ka treguar se në Zvicër jetonin në një apartament modest dhe se me vëllanë Taulantin luanin tërë ditën në fushë të betonit.

Xhaka në intervistë është pyetur edhe për kritikat që ka marrë nga ish-lojtari i Liverpoolit, Stephane Henchoz. Ish-lojtari zviceran Henchoz ka qenë kundër që Xhaka të bëhet kapiten i përfaqësueses.

Xhaka me Xherdan Shaqirin kishin festuar duke bërë me duar shqiponjën në fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin 2018 në Rusi. Festimi i tyre ishte përcjellë me kritika nëpër Zvicër.

Ndër ata kritikë kishte qenë edhe Henchoz.

“E di pse është. Së pari, kurrë nuk e fshehu se nga jam, nga janë prindërit e mi. Disa njerëz nuk e pranojnë apo nuk e kuptojnë. Ky person, si të tjerët në TV, kanë opinion për mua, është në rregull. Jam krenar të luaj për Zvicrën, nëse jo atëherë s’do të arrija shifrën e 100 ndeshjeve. Nuk jam kapiten nëse nuk jam krenar. Ajo çfarë flasin njerëzit në TV nuk ka rëndësi. Më me rëndësi për mua janë njerëzit, shteti, stafi dhe skuadra dhe ndjehem shumë i mirëpritur në këtë vend”, tha Xhaka.

Edhe Xhaka para katër vjetësh kishte menduar kthimin në Gjermani Sport Xhaka para katër vjetësh kishte menduar kthimin në Gjermani

Sa i përket formës së Arsenalit këtë stinor, Xhaka thotë se nëse vazhdohet me këtë ritëm, atëherë mund të arrihet diçka e madhe.

“Mund të jetë vit i veçantë. Nëse vazhdojmë të punojmë kështu, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Duhet të besojmë në vete”, ka thënë Xhaka.