Mesfushori anglez, Jack Wilshere, është pensionuar nga futbolli aktiv në moshën 30-vjeçare.
Ish-mesfushori i Arsenalit ka vendosur ta mbyllë karrierën pas problemeve të shumta me lëndime.
Lajmi është konfirmuar nga futbollisti në rrjetet sociale.
“Po ju njoftoj tërheqjen time nga futbolli profesionist. Ka qenë një udhëtim i pabesueshëm i mbushur me kaq shumë momente të pabesueshme dhe ndihem i privilegjuar që kam përjetuar gjithçka që kam bërë gjatë karrierës sime. Nga të qenët djali i vogël që shkelmonte një top në kopsht, deri tek kapiteni i Arsenalit tim të dashur dhe duke luajtur për vendin tim në një Kupë Bote. Unë e kam jetuar ëndrrën time”, shkroi Wilshere.
Karriera e Wilshere erdhi në rënie vitet e fundit dhe pas disa muajsh pa skuadër, në janar u transferua te Aarhaus në Danimarkë, por edhe aty nuk arriti të lërë gjurmë, duke bërë që danezët të mos i ofronin rinovim kontrate.
Wilshere ishte pjesë e Arsenalit që nga viti 2007 deri në vitin, 2018 ku zhvilloi 197 ndeshje dhe shënoi 14 gola.
Mesfushori ka zhvilluar edhe 34 ndeshje me Përfaqësuesen e Anglisë, duke shënuar dy gola.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur për skuadra si Bournemouth dhe West Ham.
Anglezi pritet të emërohet trajner i skuadrës U-18 të Arsenalit.