Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pensionimi i hershëm i Wilshereit, futbollistit që u vlerësua lart, por pati shumë lëndime

Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Anglisë, Jack Wilshere, i ka dhënë fund karrierës si futbollist profesionist në moshën 30-vjeçare.

Wilshere u bë debutuesi më i ri i Arsenalit në ligë, kur u paraqit në një ndeshje me vetëm 16 vjet e 256 ditë, në vitin 2008. Ai ka qenë pjesë e Akademisë së Arsenalit.

Wilshere ishte vlerësuar si një prej lojtarëve që do të jetë figurë kyç për Arsenalin dhe Anglinë, ndërsa pati edhe karrierë të ndritur fillimisht.

Por, progresi i tij u frenua pas një serie të gjatë të lëndimeve dhe shqetësimeve, por edhe nga stili i jetës jashtë fushës së gjelbër.

Wilshere u paraqit për herë të parë për Anglinë në vitin 2010, ndërsa në total pati 34 ndeshje të luajtura. Luajti edhe në Kupën e Botës të vitit 2014 dhe në Evropianin e vitit 2016.

Edhe Wilshere pensionohet nga futbolli aktiv Sport Wilshere pensionohet nga futbolli aktiv

Ani pse Wilshere e fitoi Kupën FA me Arsenalin në vitet 2014 dhe 2015, ai asnjëherë nuk e përmbushi potencialin në 197 paraqitje sa i pati me “revolveristët”.

Një edicion e kaloi si i huazuar te Bournemouthi dhe u transferua te West Hami në vitin 2018.

Wilshere u rikthye te Bournemouthi për periudhë të shkurtër në janar të vitit 2021 dhe po ashtu u huazua në Superligën e Danimarkës, te klubi AGF, para se të vendoste t’i varte këpucët në gozhdë të premten.

“Ka qenë një rrugë e pabesueshme, e mbushur me momente të jashtëzakonshme dhe ndihem i privilegjuar që kam përjetuar gjithë këtë në karrierën time”, ka shkruar Wilshere në “Twitter”.

“Nga djaloshi që e godiste topin në oborr e deri tek Arsenali si kapiten dhe përfaqësimi i shtetit në Kupën e Botës. E kam jetuar ëndrrën. Në të vërtetë, ka qenë e vështirë ta pranoj se karriera ime më ka ikur nga duart në kohët e fundit për shkak të arsyeve që nuk kanë qenë nën kontrollin tim, në kohën kur unë e kam pasur ndjenjën se ende kam për të dhënë nga vetja. Pasi e kam pasur kohën të reflektoj dhe të flas me më të afërmit, unë e di se tani është koha e duhur dhe pavarësisht momenteve të vështira, e shikoj të kaluarën e karrierës sime me krenari të madhe për atë që e kam arritur”, është shprehur tutje Wilshere.

Wilshere e ka përshëndetur dhe përgëzuar ish-trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger, dhe stafin e tij po ashtu, që i kanë dhënë shansin për të luajtur në Premier League.

“Fjalët asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për dashurinë dhe falënderimin që e kam për trajnerët, Arsene, Pat Rice dhe Boro Primorac”, theksoi Wilshere.

Edhe Wilshere i bashkohet ekipit danez Aarhus Sport Wilshere i bashkohet ekipit danez Aarhus

Wilshere përgjatë karrierës së tij ka pësuar 13 lëndime të ndryshme, kryesisht me nyja të këmbëve, të cilat e lanë atë për kohë të gjatë jashtë fushave.

Lëndimet e rënda bënë që ai të jetë jashtë fushës së gjelbër për 1382 ditë, nga nëntori i vitit 2009 e deri në shtator të vitit 2020.