Boksieri kosovar Faton Vukshinaj në fundjavë do ta zhvillojë meçin më të madh në karrierën e tij të deritashme.
Vukshinaj në Rietberg të Gjermanisë të shtunën do të përballet me italianin Etinosa Oliha për titullin IBO në kategorinë e mesme.
“Po pres me padurim duelin. Jam përgatitur shumë mirë dhe synimi është që të shtunën të fitojë titullin e kampionit”, ka thënë Vukshinaj për KOHËN.
Vukshinaj 32-vjeçar në ringun profesionist i ka 16 fitore (11 KO) dhe dy barazime.
Fitorja ndaj Olihas do t’i hapë rrugën Vukshinajt për duele edhe më të mëdha.
Katër duelet e fundit Vukshinaj i ka fituar me ndërprerje brenda dy raundeve të para.
Oliha 25-vjeçar në boksin profesionist i ka fituar 18 duelet e deritashme, prej tyre nëntë me nokaut.
Ai titullin IBO e fitoi në korrik të këtij viti, kur e mposhti me vendim unanim kilianin Julio Alamos.
Vukshinaj karrierën e zhvillon në Zvicër.
