Boksieri kosovar Faton Vukshinaj ka vazhduar me paraqitje impresive. Të shtunën mbrëma në Basel, Vukshinaj mposhti me nokaut në rund të dytë boksierin nga Nikaragua, Roberto Arriaza. Meçi i kategorisë së mesme ishte paraparë të zhvillohej në dhjetë runde.
Vukshinaj rrëzoi Arriazan me një goditje të fuqishme në trup. Nikaraguani Arriaza nuk arriti të merrte veten dhe kështu meçi përfundoi me nokaut.
Për Vukshinajn 32-vjeçar, që karrierën e zhvillon në Zvicër, është fitorja e 16-të në boksin profesionist (11 KO) karshi dy barazimeve sa i ka.
Ai katër meçet e fundit i ka fituar me nokaut brenda dy rundeve të para.
Arriaza ndërkohë ka pësuar humbjen e shtatë në karrierë, karshi 19 fitoreve. Për të është humbja e katërt me nokaut. Arriaza gjatë karrierës ka boksuar edhe për titull IBO, në kategorinë velter.
Në parameç në Basel boskieri tjetër shqiptar Behar Sadiku ka vazhduar me fitore. Ai mposhti me vendim unanim venezuelanin Ivan Matute, në duelin e kategorisë super të mesme. Sadiku ka 8 fitore nga po aq meçe. Matute ndërkohë ka pësuar humbjen e 14-të karshi 30 fitoreve.