Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Villarreali më shumë krenar sesa i mërzitur pas eliminimit në Champions

Për shumë kohë pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Villarrealit qëndruan më këmbë duke brohoritur në stadiumin “La Ceramica”. Rezultati nuk ishte ai që kishin shpresuar, por ndjenja ishte e një pune të kryer mirë. Kishte më shumë krenari sesa trishtim për klubin modest spanjoll, pasi ai u eliminua pak para se të bënte një tjetër tronditje kundër një fuqie evropiane në Ligën e Kampionëve.

“Ishim afër përsosmërisë”, tha trajneri i Villarrealit, Unai Emery, pas humbjes 3:2 ndaj Liverpoolit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të martën. “Ne e dimë që tifozët e kanë shijuar. Është një projekt i mirë që na lejon të përjetojmë momente të tilla”.

Villarreali shënoi dy herë para mbylljes së pjesës e parë për të fshirë humbjen 2:0 nga ndeshja e parë në Angli, por nuk mundi të vazhdonte përballë kampionit të gjashtëfishtë të Evropës edhe në pjesën e dytë.

“Ne kishim nevojë për diçka shtesë”, pranoi Emery. “Na mbaroi forca”.

Villarreali pa dyshim se pati një ecuri të mirë këtë edicion në Champions, pasi eliminoi Juventusin në 1/8 e finales dhe Bayern Muenchenin në çerekfinale. Kjo nuk është aspak keq për një ekip që vjen nga një qytet me 50 mijë banorë në Spanjën jugore dhe ka buxhetin më të vogël në mesin e të gjitha skuadrave të Ligës së Kampionëve.

Edhe Shpresat e Villarrealit për Evropë varen nga ndeshja me Liverpoolin Sport Shpresat e Villarrealit për Evropë varen nga ndeshja me Liverpoolin

“Të gjithë duhet të jenë shumë krenarë për këtë klub”, tha sulmuesi i Villarrealit, Gerard Moreno. “Ne u eliminuam me kokën lart.”

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, nuk kishte veç fjalë të mira për atë që ka arritur Villarreali këtë sezon në Ligën e Kampionëve.

“Respekt për Villarrealin”, tha ai. "Stadiumi, ekipi, trajneri - ishte e pabesueshme ajo që ata krijuan”.

Liverpooli do të luajë në finalen e tij të dhjetë në garën më të mirë të Evropës për klube dhe të tretën në pesë sezonet e fundit. Villarreali triumfoi edicionin e shkuar në Ligën e Evropës për ta fituar trofeun e parë të madh në histori të klubit, duke e mposhtur Manchester Unitedin në finale. Klubi spanjoll po e bënte vetëm paraqitjen e tij të katërt në Champions, pasi kishte arritur në gjysmëfinale në vitin 2006 dhe në çerekfinale në vitin 2009, përpara se të eliminohet në dy rastet nga skuadra e Arsenalit.

“Ne me të vërtetë donim t'u jepnim tifozëve tanë finalen e tyre të parë të Ligës së Kampionëve dhe është një dhimbje e madhe që nuk ishim në gjendje ta bënim këtë”, tha mbrojtësi veteran i Villarrealit, Raul Albiol. “Por ne thjesht do të vazhdojmë të përpiqemi dhe t'i bëjmë gjërat ashtu siç i kemi bërë deri më tani. Kjo është ajo që na ka sjellë deri këtu”.

Edhe Liverpooli i gatshëm të vuajë ndaj Villarrealit për të arritur në finale Sport Liverpooli i gatshëm të vuajë ndaj Villarrealit për të arritur në finale

Megjithatë, kthimi në Ligën e Kampionëve mund të jetë i vështirë për Villarrealin. Skuadra aktualisht është jashtë vendeve që dërgojnë sezonin e ardhshëm në garat evropiane. Zë vendin e shtatë në La Liga kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të sezonit - nëntë pikë prapa Atletico Madridit që zë vendin e katërt në tabelë. Eliminimi i Villarrealit do të thotë gjithashtu se nuk do të ketë trofe të parë të Ligës së Kampionëve për trajnerin Emery, i cili nuk kishte kaluar kurrë përtej 1/8 së finales deri më tani. Ai ka katër trofe të Ligës së Evropës në karrierën e tij, tri të fituar me Sevillan dhe një me Villarrealin sezonin e kaluar.

“Edhe pse nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë atë hapin e fundit drejt finales”, tha Emery, “ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë në të cilën jemi”.