Sport

Shpresat e Villarrealit për Evropë varen nga ndeshja me Liverpoolin

Tifozët e Villarrealit

Qyteti i vogël spanjoll i Villarrealit mund të jetojë natën e fundit në Ligën e Kampionëve për një kohë nëse nuk kryen një tjetër përmbysje të martën (21:00) kundër Liverpoolit.

Klubi modest rrëzoi Juventusin dhe Bayern Muenchenin në rrugën drejt një paraqitjeje befasuese në gjysmëfinale të Championsit.

Por nëse nuk mund ta përmbysë humbjen 2:0 nga ndeshja e parë kundër ekipit anglez, historia e fundit tregon se mund të mos ketë një shans tjetër për të luajtur në këtë garë elitare së shpejti. Villarreali është vetëm i shtati në ligën spanjolle, nëntë pikë nga vendi i katërt që dërgon në Champions, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të këtij edicioni. Gjasat e ekipit për t'u kualifikuar nëpërmjet ligës spanjolle u goditën të shtunën kur humbi nga skuadra e vendit të parafundit, Alavesi. Trajneri Unai Emery duhej të pushonte disa nga titullarët përpara ndeshjes kundër Liverpoolit. Kjo do të thotë se vetëm triumfi në Champions do ta lejojë Villarrealin të kthehet në kompeticionin më të mirë evropian për klube edicionin e ardhshëm.

Kthimi mund të mos jetë aq i lehtë nëse merren parasysh statistikat e fundit të Villarrealit. Me bazë në një qytet me 50.000 banorë në Spanjën jugore, Villarreali nuk kishte luajtur në Champions që nga edicioni 2011/12. Para kësaj Villarreali ishte kualifikuar në këtë garë vetëm në edicionin 2005/06 dhe në 2008/09. Është paraqitja e tretë në fazën eliminatore dhe e para qëkur arriti në çerekfinale në vitin 2009. Në gjysmëfinale arriti në vitin 2006.

“Po kalojmë një moment historik. Njerëzit tanë janë shumë krenarë”, tha Emery të hënën. “Ne kemi luajtur mirë në shtëpi. Shpresojmë që para tifozëve tanë të kemi paraqitjen më të mirë dhe të sigurojmë avancimin në finale”.

Villarreali nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi për më shumë se pesë muaj, që nga disfata në kuadër të La Ligas nga Barcelona nëntorin e kaluar.

Tifozët e Villarrealit po përgatitin një festë të madhe në përpjekje për të ndihmuar skuadrën të bëjë një rikthim sensacional. Pankarta do të shfaqen brenda stadiumit “La Ceramica” dhe një korridor i tifozëve do të mirëpresë autobusin e ekipit që do të sjellë skuadrën nga qendra stërvitore në stadium.

Të dy eliminimet e Villarrealit në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve erdhën kundër një klubi anglez - Arsenalit.

Villarreali u kualifikua në Ligën e Kampionëve këtë edicion duke fituar titullin e parë të rëndësishëm në histori, Ligën e Evropës, garë që është e dyta për nga rëndësia në Evropë.

Edhe rikthimi në Ligën e Evropës ose Ligën e Konferencës mund të jetë i vështirë për skuadrën e Emeryt, që qëndron katër pikë prapa Real Sociedadit skuadrës në vendin e gjashtë.

Liverpooli po kërkon të arrijë në finalen e tretë të Ligës së Kampionëve në pesë vjetët e fundit. Hera e fundit që u eliminua në një raund eliminimi pas fitores në ndeshjen e parë ishte në çerekfinale të edicionit 2001/02 kundër Bayer Leverkusenit.

Skuadra angleze i fitoi të gjitha pesë ndeshjet jashtë fushës së saj që luajti në Ligën e Kampionëve këtë kampanjë, duke përfshirë atë kundër Interit në 1/8 e finales dhe ndaj Benficas në çerekfinale.

Mbetet e paqartë nëse Emery do të jetë në gjendje të aktivizojë disa prej lojtarëve kyç për duelin e kthimit shkaku i lëndimeve, përfshirë mbrojtësin veteran Raul Albiol dhe sulmuesit Gerard Moreno dhe Arnaut Danjuma. Moreno humbi ndeshjen e parë me një problem muskulor, ndërsa Albiol po trajtohet për një goditje që e mori në “Anfield Road”. Në ndeshjen e parë kundër Liverpoolit mbrojtësi u bë spanjolli më i vjetër që luajti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Këtë e arriti në moshën 36-vjeçare. Mesfushori Yeremy Pino është jashtë me një problem muskulor.

Emery, shumë i suksesshëm në Ligën e Evropës, po shijon edicionin e tij më të mirë në Ligën e Kampionëve, pasi nuk ka kaluar asnjëherë përtej 1/8 së finales në përpjekjet e mëparshme.

“Ne jemi shumë të motivuar për të luajtur një gjysmëfinale të Championsit në shtëpi”, tha Emery. “Duam ta shijojmë këtë moment me fansat tanë”.