Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klopp paralajmëron Liverpoolin se Villarreali është “i bërë për Champions”

Juergen Klopp ka hedhur poshtë idenë se Liverpooli ka pasur short të lehtë sa i takon fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa skuadra po përgatitet të përballet me Villarrealin në garën elitare evropiane.

Liverpooli e pret Villarrealin në ndeshjen e parë gjysmëfinale në stadiumin “Anfield Road”, të mërkurën prej orës 21:00. Skuadra e madhe është potencialisht nëntë ndeshje larg që të bëhet e para që triumfon në Champions, Premier League, Kupën FA dhe në Ligën e Kupës. Në kampionat Liverpooli ka vetëm një pikë më pak se Manchester City, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro. Liverpooli ka arritur në finale të Kupës FA dhe tashmë e ka fituar Kupën e Ligës.

Fitorja ndaj Villarrealit, që njihet me nofkën “Nëndetësja e verdhë”, do të nënkuptonte finalen e tretë të Ligës së Kampionëve në pesë edicionet e fundit për futbollistët e Kloppit.

Trajneri gjerman në konferencën për shtyp, të martën, u ka kërkuar lojtarëve dhe tifozëve që do të jenë në tribunat e stadiumit që të tregojnë të njëjtin nivel të dëshirës që demonstruan në fitoren e famshme 4:0 kundër Barcelonës në ndeshjen e dytë gjysmëfinale në vitin 2019. Ishte hera e fundit që Liverpooli e ngriti trofeun.

“Shumë trajnerë, shumë lojtarë, përpiqen të punojnë gjatë gjithë jetës së tyre dhe nuk kanë asnjë shans për të qenë në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, tha Klopp të martën. “Ne jemi në gjysmëfinale, kështu që duhet ta vlerësojmë këtë. Sigurisht që duhet ta vlerësojmë, por duhet ta shijojmë gjithashtu”.

Edhe Liverpooli i gatshëm të vuajë ndaj Villarrealit për të arritur në finale Sport Liverpooli i gatshëm të vuajë ndaj Villarrealit për të arritur në finale

Villarreali renditet i shtati në La Liga, nëntë pikë larg vendit që siguron daljen në Champions për edicionin tjetër, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të edicionit.

Lojtarët e trajnerit Unai Emery kanë tronditur Juventusin dhe Bayern Munichun për të bërë vend në katër ekipet më të mira të Evropës këtë edicion. Ata kanë fituar trofeun e parë të madh në histori të klubit kur mposhtën Manchester Unitedin në finalen e Ligës së Evropës, vitin e kaluar.

“Ata janë krijuar për këtë garë elitare, të jemi të sinqertë. Sepse mënyra se si kanë ardhur deri këtu është me të vërtetë shumë e mirë”, paralajmëroi Klopp. “Ndoshta ju i keni nënvlerësuar ata, por kjo nuk ka ndodhur kurrë me ne dhe veçanërisht pas këtyre katër ndeshjeve që i patën kundër Juventusit dhe Bayernit nuk ka asnjë shans t’i nënvlerësojmë. Villarreali është skuadër me të vërtetë e mirë futbolli e cila pa dyshim që dëshiron të bëjë histori. Do të jetë hera e parë që kërkon një finale, që është një gjë masive për Villarrealin. Është e njëjta gjë për ne. E njëjta rëndësi. Ne duam të jemi atje dhe kjo është ajo që duhet t'u tregojmë rivalëve”.

Liverpooli është goditur nga Emery në të kaluarën - skuadra e tij, Sevilla, fitoi finalen e Ligës së Evropës me rezultatin 3:1, në edicionin e parë të Kloppit në Angli. Që atëherë Liverpooli ka ngritur Kupën e gjashtë evropiane dhe i ka dhënë fund një pritjeje 30-vjeçare për të fituar titullin e ligës angleze.

Edhe Sfida spanjolle i qëndron në rrugë finales mes Cityt e Liverpoolit Sport Sfida spanjolle i qëndron në rrugë finales mes Cityt e Liverpoolit

Jordan Henderson, i cili ishte në skuadrën e Liverpoolit për finalen e Ligës së Evropës në Basel, beson se ajo ndeshje ishte një hap i rëndësishëm në rrugëtimin me Kloppin.

“Ndihej sikur e dinte se ky ishte fillimi, dhe fillimi i një gjëje të veçantë”, tha Henderson. “Si lojtar është shumë e vështirë të mendosh se sapo ke humbur finalen, por gjithmonë e kam ndier se Klopp ishte shumë ndryshe nga trajnerët që i kam parë ndonjëherë. Ai disi e dinte se çfarë do të vinte në vitet e ardhshme dhe ndiej se me atë që ka prodhuar është vërtetuar se ajo humbje e vitit 2019 ishte fillimi i një gjëje të veçantë”.