Liverpooli ka synim të ri tani, pas rezultateve zhgënjyese në kampionat. Duke pasur parasysh së pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve është gjithnjë e më larg, Liverpooli ka kthyer fokusin kah Liga e Evropës. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Juergen Klopp, të premten. Ai ka insistuar se Liverpooli do të përfitojë nga rasti për ta mbyllur edicionin në Premier League në një pozitë që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Për ta siguruar garën e nivelit të dytë evropian, Liverpooli duhet ta sigurojë vendin e pestë në tabelën e Premier Leagues, të cilin e mbanë Tottenhami, kundërshtari i të dielës (17:30).
Liverpooli renditet i shtati me 53 pikë, një më pak se Tottenhami që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Pozitën e katërt dhe të fundit që dërgon në Champions e mban Manchester Unitedi me 60 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur se Liverpooli.
Gjendja aktuale ka bërë që Kloppi të pranojë se do të jetë më se i lumtur nëse me ekipin e tij paraqitet në Ligën e Evropës. Për Liverpoolin pjesëmarrja në Ligën e Evropës, të cilën e ka fituar kur njihet si Kupa e UEFA-s (2000/01), do të vinte pas një kohe shumë të gjatë. Skuadra rregullisht ka luajtur në Champions dhe nuk i kanë munguar sukseset. Edicionin e shkuar u mposht në finale nga Real Madridi, ndërsa në vitin 2019 e fitoi trofeun më të çmuar të Evropës.
“Jemi të detyruar të marrim atë që na ofrohet dhe Liga e Evropës është opsioni më i mirë për këtë edicion që nuk ishte prej më të mirëve. Nuk është gara që e kishim menduar para fillimit të këtij kampionati, por kemi marrë disa leksione të mira dhe për këtë arsye, e kemi fokusin te Liga e Evropës. Do të jem i lumtur nëse paraqitemi në këtë garë”, pranoi Klopp. “Duhet të jemi maksimalisht të fokusuar në këto xhirot e fundit, por fillimisht të luajmë mirë kundër Tottenhamit që aktualisht ka pozitën që e duam ne. Ajo që ndodh javët e fundit do të jetë e rëndësishme për kampionatin e ri”.
Liverpooli, që ka luftuar për të pasur stabilitet në rezultate, mposhti West Ham Unitedin 2:1 të mërkurën mbrëma për ta regjistruar fitoren e tretë rresht në kampionat për herë të parë këtë vit.
Edhe
Liverpooli pritet të festojë të dielën
Klopp insistoi se Liverpooli edicionin tjetër do ta pushtojë Ligën e Evropës për t’u rikthyer në mënyrë triumfale në Champions.
“Është vështirë dhe duhet pranuar këtë, pasi të gjithë po e shohin gjendjen në tabelë. Megjithatë, nuk do të dorëzohemi deri në fund, edhe pse deri diku ekipi e ka kuptuar tashmë se Liga e Evropës mbetet opsioni më i mirë për edicionin e ri”, u shpreh Klopp.