Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, do të largohet nga roli që e ka në fund të sezonit duke thënë se “po i mbarojnë energjitë”.
Kloppi u emërua trajner në tetor të vitit 2015 dhe kishte kontratë deri në vitin 2026.
Ai e ka fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2019, para se ta udhëhiqte Liverpoolin drejt titullit të parë në ligë në 30 vjet, në edicionin 2019/20.
“I kam thënë klubit në muajin nëntor”, ka thënë Klopp në një intervistë për faqen zyrtare të klubit. Liverpooli, që prin në Premier League me 48 pikë.
“Mund ta kuptoj se është befasi për shumë njerëz në këtë moment, kur e dëgjon për herë të parë, por qartë se këtë mund ta shpjegoj – ose të paktën do të mundohem ta shpjegoj. Unë dua gjithçka në këtë klub, gjithçka në këtë qytet, i dua tifozët, e dua ekipin, e dua stafin. Dua gjithçka. Por dua edhe t’iu tregoj se ky vendim iu tregon se jam i vendosur se është ai të cilin unë duhet ta marr. Po më mbarojnë energjitë. Nuk kam problem tani, sepse e kam ditur se do të vijë një ditë se do të njoftoj për diçka të tillë, por jam absolutisht mirë tani. E di se nuk mund ta bëj punën sërish, dhe sërish, dhe sërish. Pas kaq shumë vjetësh së bashku dhe pas gjithë kohës që e kemi kaluar së bashku dhe pas gjithë atyre që kemi kaluar së bashku respekti është rritur, është rritur dashuria për ju dhe e fundit që u kam borxh është e vërteta – dhe kjo është e vërteta”.
Liverpooli e ka fituar çdo trofe madhor qëkur gjermani erdhi në krye të “të kuqve”.
Kloppi e udhëhoqi Liverpoolin drejt trofeut të gjashtë të Kupës Evropiane në vitin 2019 kur e mposhti Tottenhamin në finalen e Ligës së Kampionëve në Madrid.
Më pas erdhën fitoret në Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube, dhe më e rëndësishmja, titulli i Premier Leagues një sezon më pas.
Liverpooli i fitoi dy Kupat vendore në edicionin 2021/22, por nuk i fitoi katër trofetë brenda sezonit, pasi në ditën e fundit të Premier Leagues nuk ishte më i suksesshëm se Manchester City, ndërsa humbi edhe në finale të Ligës së Kampionëve nga Real Madridi në Paris.
“Të kuqtë” nuk arritën të fitonin ndonjë trofe në sezonin e kaluar, por janë në garë për katër trofe sivjet. E mposhtën Fulhamin të mërkurën për të arritur në finale të “Carabao Cup”.
“Sezoni i kaluar ishte disi shumë i vështirë dhe kishte momente kur në klubet e tjera ndoshta do të ishte marrë vendimi si ‘në rregull, ju falënderoj shumë për gjithçka por ndoshta duhet të ndahemi këtu, apo ta përfundojmë këtu’. Kjo nuk ndodhi te Liverpooli, natyrisht”, shtoi Kloppi.
“Për mua është shumë, shumë, shumë e rëndësishme sepse kam arritur që ta rikthej këtë klub në binar. Kjo ishte e tëra për të cilën kam menduar. Kur e kuptova se kjo ndodhi herët, është klub i mirë me potencial masiv dhe me grup të jashtëzakonshëm, më pas kam mundur të mendoj për veten dhe ky ishte përfundimi. Nuk është kjo çfarë unë dua të bëj, është vetëm ajo që unë mendoj 100%”.
Asistentët te Liverpooli, Pepijn Lijnders dhe Peter Krawietz, si dhe trajneri zhvillimor Vitor Matos do të largohen nga klubi bashkë me Kloppin.
Përveçqë është në krye të Premier Leagues dhe në finale të Kupës EFL, Liverpooli do të jetë nikoqir i Norëich Cityt në raundin e katërt të Kupës FA të dielën dhe janë në fazën nokaut të Ligës së Evropës.
“Të shkojmë për ato që kanë mbetur tani. Bota e jashtme dëshiron ta përdorë këtë vendim, të qesh me të dhe duan që të na shpërqendrojnë”, ka thënë Kloppi.
“Ne jemi Liverpooli, kemi kaluar nëpër gjëra më të vështira. Dhe ju keni kaluar nëpër situata më të vështira para meje. Ta kthejmë këtë në fuqi. Do të ishte gjë shumë e bukur. Të shtrydhim e të marrim gjithçka nga ky sezon dhe të kemi arsye për të buzëqeshur kur ta kthejmë kohën prapa”.
Kloppi ka fituar 60.7% të ndeshjeve, që është përqindja më e lartë e ndonjë trajneri të Liverpoolit me mbi 50 ndeshje në krye të ekipit.
Ai po ashtu është i vetmi trajner i Liverpoolit që e ka fituar titullin, Kupën Evropiane/Ligën e Kampionëve, Kupën FA dhe Kupën EFL.
Mike Gordon, president i “Fenway Sports Group” te Liverpooli, e ka quajtur emërimin e Kloppit si “një prej bekimeve më të mëdha për kohën si pronar të klubit”.
“Së pari dhe më kryesorja, në emër të John Henryt dhe Tom Wernerit, do të doja që të jepja vlerësimin më të madh për Juergenin”, ka thënë Gordon.
“E kuptueshme është se do të jemi jashtëzakonisht të mërzitur për humbjen e tij jo vetëm të kalibrit që ai është, por edhe si person dhe lider, për të cilin ne kemi respekt të madh, mirënjohje dhe dashuri të madhe. Në të njëjtën kohë, ne plotësisht i respektojmë dëshirën dhe arsyen pse ai ka vendosur që ky sezon të jetë i fundit te Liverpooli”.