Trajneri Juergen Klopp thotë se Liverpooli duhet të jetë “gati të vuajë” kundër Villarrealit në Spanjë, në mënyrë që ta kalojë edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli ka epërsinë 2:0 nga ndeshja e parë që e luajti javën e shkuar në “Anfield Road” dhe po kërkon ta rezervojë finalen e tretë në pesë edicionet e fundit. Klopp ka paralajmëruar lojtarët e tij se duhet të jenë gati për një natë të vështirë në stadiumin “El Madrigal”, të martën mbrëma (21:00).
“Shqetësimi im i vetëm për ndeshjen e kthimit është se duhet të vuajmë shumë për të kaluar në finale. Nuk do të jetë aspak lehtë, por futbollistët tashmë e kanë këtë parasysh”, është shprehur Klopp të hënën në konferencën për shtyp. “Villarreali do të vërsulet me të gjitha forcat prej fillimit të ndeshjes për të shënuar gol, presion që duhet ta përballojmë. Besoj se gjatë ndeshjes do t’i kemi edhe ne momentet tona dhe do të reagojmë”.
Klopp ka shtuar se pret paraqitjen më të mirë të ekipit të tij ndaj Villarrealit. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund ta tejkalojnë pengesën e fundit para finales. Liverpooli këtë vit i ka fituar të gjitha ndeshjet në Champions dhe Klopp pranoi se ekipi i tij do të dalë në fushë për ta fituar ndeshjen. Ai insistoi se nuk do të bazohet te fitorja e javës së shkuar.
“Nuk mendoj për epërsinë 2:0, pasi dua që ekipi ta bëjë paraqitjen e tij më të mirë për të fituar dhe për të kaluar në finale. Nuk do të jetë lehtë, por jemi gati edhe për këtë pengesë”, insistoi Klopp. “Duhet të bëjmë një ndeshje superiore pasi kjo është bileta jonë për të avancuar tutje”.
Liverpooli sërish do të jetë pa sulmuesin Roberto Firmino. Braziliani është kthyer në stërvitje dhe ka udhëtuar me ekipin, por nuk do të inkuadrohet të martën mbrëma. Për dallim prej Liverpooli, te Villarreali ka më shumë shqetësime sa u përket mungesave. Në dyshim mbetet paraqitja e sulmuesve Gerard Moreno e Arnaut Danjuma që janë rikthyer në stërvitje, ndërsa Yeremy Pino e Alberto Moreno tashmë janë konfirmuar si mungesa.
Trajneri i Villarrealit, Unai Emery, ka insistuar se ekipi i tij nuk do të luajë për krenari por për ta mposhtur Liverpoolin dhe për ta siguruar paraqitjen në finalen e Championsit. Sipas Emeryt, ekipi i tij mund ta bëjë një gjë të tillë pasi tashmë ka eliminuar Juventusin e Bayernin.
Edhe
Klopp paralajmëron Liverpoolin se Villarreali është “i bërë për Champions”
“Në ndeshjen e parë ata ishin më të mirë, por në ndeshjen e kthimit nuk do të jetë kështu. Ne nuk do të luajmë vetëm për krenari, por për të fituar dhe për të kaluar tutje në Ligën e Kampionëve”, është shprehur Emery. “Liverpooli këtë edicion nuk e ka humbur asnjë ndeshje me më shumë se dy gola dhe për këtë arsye duhet të jemi perfekt në çdo aspekt. Besoj që ekipi do të tregojë një paraqitje të jashtëzakonshme”.
Qendërmbrojtësi i Villarrealit, Pau Torres, ka thënë se Emery tashmë e ka bërë planin për ta eliminuar Liverpoolin.
“Nuk do të jetë lehtë, por e kemi parasysh rëndësinë e ndeshjes. Do të jemi ekip dukshëm më i mirë se ai i javës së kaluar. E dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe me ndihmën e tifozëve tanë besoj se do t’ia dalim. Në këtë ndeshje të gjithë do ta shohin Villarrealin më të mirë të këtij edicioni”, u shpreh Torres.