Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, është plotësisht i bindur se ekipi i tij do ta mposhtë Manchester Cityn në garën për titullin e kampionit në Premier League dhe do t’i mbajë gjallë shpresat për ta mbyllur edicionin me katër trofe të fituar, ka raportuar AFP të hënën. Kampioni në fuqi, City, e ka rritur epërsinë në tri pikë ndaj Liverpoolit dhe ka katër gola më shumë, pas fitores së thellë ndaj Newcastlet me rezultatin 5:0, të dielën. Një ditë më herët, Liverpooli barazoi 1:1 në shtëpi kundër Tottenhamit, kurse deri në fund të këtij sezoni në Premier League kanë mbetur edhe tri xhiro të pazhvilluara.
Klopp të hënën në një konferencë për shtyp ka thënë se nuk do të fokusohet për ta ruajtur energjinë e lojtarëve të tij për dy finalet që i presin, por do të luftojë me të gjitha forcat deri në fund të edicionit. Liverpooli të dielën përballet me Chelsean në finalen e Kupës FA, ndërsa më 28 maj do të luajë kundër Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve, që zhvillohet në “Stade de France” në Paris.
Për Liverpoolin, kjo është finalja e tretë në pesë edicionet e fundit në Champions. Liverpooli tashmë e ka fituar Kupën e Ligës dhe po synon ta mbyllë një sezon historik me katër trofe të fituar.
“Derisa titulli i kampionit është i arritshëm, pse duhet të ndalojmë së besuari? Kjo është ajo që ne bëjmë, pra të vazhdojmë dhe të besojmë deri në fund se mund të triumfojmë”, tha Klopp në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes në udhëtim kundër Aston Villas, që luhet të martën. “Është e qartë se ende nuk ka mbaruar asgjë, pasi të dy ekipet i kemi edhe tri ndeshje për t’i luajtur. Kështu që shqetësimi im i vetëm është në fakt se si mund t'i fitojmë ndeshjet tona”.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se ka krijuar ndjenjën që e gjithë Anglia po e përkrah Liverpoolin në synimin e tij historik këtë sezon.
Edhe
Real Madridi shpreson ta ndalë hovin e Liverpoolit
“Të gjithë në këtë vend po e përkrahin Liverpoolin, mediat dhe të tjerët”, tha Guardiola, duke shtuar se Liverpooli e ka fituar vetëm një herë titullin në Angli në 30 vjet, pavarësisht sukseseve që po i ka në Champions.
Klopp duke mos dashur të polemizojë më shumë me Guardiolan, ka insistuar se nuk e ka fare ndjenjën se ekipi po përkrahet apo po mirëpritet, sidomos kur po luan në udhëtim.
“Nuk e kam idenë që i gjithë vendi po na përkrah. Këtë ndjenjë nuk po e përjetojmë kur po shkojmë për të luajtur ndaj ekipeve të tjera. Në fakt është e kundërta për shkak se të gjithë po luftojnë dhe po përpiqen të na mposhtin. Ndoshta Guardiola di më shumë se unë në këtë aspekt”, u shpreh Klopp.
Sipas trajnerit gjerman, Guardiola mund të ketë reaguar në afekt për shkak se ende nuk është pajtuar nga eliminimi në Ligën e Kampionëve.
City u eliminua në gjysmëfinale nga Real Madridi derisa Liverpooli e eliminoi Villarrealin.
“Nuk e di se në çfarë gjendjeje ishte Guardiola pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, por është vështirë të pranohet një gjë e tillë, sidomos kur Liverpooli e siguroi finalen. Dhe po, është e vërtetë që ne e kemi fituar vetëm një herë titullin në tri dekada dhe tani po luftojmë për të dytin”, shtoi ai.
Edhe
City kërkon historinë, Kloppi përshëndetet
Edhe pse Klopp nuk e pranoi, duket se Liverpooli e ka një adhurues në mesin e trajnerëve të skuadrave kundërshtare në Premier League. Steven Gerrard kurrë nuk e ngriti trofeun e kampionit të Anglisë si kapiten i Liverpoolit. Legjenda e këtij klubi është trajner i Aston Villas, ekip që e siguroi mbetjen në elitën e futbollit anglez pas fitores së fundit ndaj Burnleyt (3:1).
“Puna ime është t’i fitoj ndeshjet për Aston Villa dhe natyrisht që dua fitore ndaj Liverpoolit, por nuk do të jetë lehtë, sepse bëhet fjalë për ekipin më të mirë në botë për momentin”, pranoi Gerrard.