Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Videoja e prezantimit të Rashicës krijoi polemika në Stamboll

Beshiktashi e prezantoi Milot Rashicën me një video mjaft interesante. Në fillim të videos, shihet stadiumi i Galatasarayt dhe dëgjohet zhurma e trafikut. Më pas, Milot Rashica është shfaqur duke pirë çaj para stadiumit të Beshiktashit. Megjithatë, rezultoi se pamjet e stadiumit të Galatasarayt janë marrë nga demonstratat e Lojërave Olimpike Turke më 14 qershor të vitit 2012 të organizuara nga organizata gyleniste FETO. Organizata FETO e Fetullah Gulenit në Turqi cilësohet terroriste. Prezantimi i Rashicës u përcoll edhe me reagime të shumta në rrjetet sociale nga adhurues të Galatasarayt, ish-ekipit të Rashicës së fundmi. Kjo bëri që Galatasaray të reagojë me një deklaratë në lidhje me videon e publikuar nga prezantimi i Rashicës. Në reagim, Galatasaray kërkoi llogari dhe kërkimfalje nga Beshiktashi.

“Klubi ynë do ta bëjë këtë deklaratë për herë të parë dhe të fundit për spekulimet e vazhdueshme në lidhje me imazhin që është përdorur nga klubi Beshiktash. Klubi sportiv, Galatasaray, është fytyra e ndritur e Republikës. Kushdo që përpiqet të tregojë vendin krah për krah me një organizatë terroriste gjakatare, që direkt ose indirekt përpiqet t’i shkaktojë dëme të mëdha këtij vendi, është një bashkëpunues. Ne do të qëndrojmë kundër kujtdo që përpiqet të prezantojë tradhti, jo konkurrencë në sportet turke. Ne do të kërkojmë llogari për këtë lojë të ndyrë që kanë bërë”, kishte shkruar ndër të tjera Galtasaray në orët e vona të së mërkurës.

Image

Ndërkohë Beshiktashi, të enjten, ka dalë me një kundër-reagim dhe pretendimet e Galatasarayt i ka cilësuar si të pabaza.

“Ndaloni këto lojëra të dobëta që ndryshojnë agjendën dhe retorikën e pahijshme ngacmuese. Deklarata e bërë nga komuniteti i Galatasarayt për klubin tonë dje është e pajustifikuar, e panevojshme dhe e pakufishme. Në videon e transferimit të përgatitur për një futbollist, nuk ka asnjë qëllim keqdashës apo me nënkuptim. Mendojmë se dashuria jonë për atdheun dhe kombin tonë është mbi të gjithë komunitetin. Nuk e dimë pse emri i organizatës terroriste u soll në shesh në këtë incident dhe pse ju erdhi në mendje. E dimë të themi se klubet tona shekullore nuk janë në mesin e këtyre çështjeve, përveç disa tradhtarëve”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Beshiktashit.

Rashica te Beshiktashi është transferuar nga Norwich City, ekip që ka përfituar 5.2 milionë euro nga shitja e tij. Rashica me Beshiktashin ka firmosur kontratë katërvjeçare, ndërsa sipas mediumeve turke do të ketë pagë vjetore prej 2 milionë eurosh te klubi nga Stambolli. Rashica do ta bartë fanellën me numrin 11.

Edhe Rashica: Klubi për të cilin doja të luaja ishte Beshiktashi Sport 2 v. më parë Rashica: Klubi për të cilin doja të luaja ishte Beshiktashi

Rashica vlerësohet si përforcim i rëndësishëm për edicionin 2023/24, duke pasur parasysh se edicionin e shkuar e fitoi titullin e kampionit me Galatasarayn. 27-vjeçari ishte i huazuar te Galatasaray, i cili nuk arriti marrëveshje me Norwichin për transferimin e tij të përhershëm. Rashica karrierën e nisi në Shkollën e Futbollit “Kurda”. Si senior debutoi te klubi i qytetit të lindjes, Vushtrria. Nga Vushtrria u transferua në Holandë te Vitesse. Pas paraqitjeve të mira në kampionatin holandez, Rashica bëri një hap të madh në karrierë duke kaluar në janar të vitit 2018 te skuadra e Werder Bremenit. Ai në vitin 2021 iu bashkua në Premier League skuadrës së Norwich Cityt. Me Norwichin nuk siguroi mbijetesën dhe u huazua verën e vitit të kaluar te Galatasaray. Me Galatën, Rashica fitoi titullin e kampionit. Rashica është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës. Para se t’i bashkohej Kosovës, Rashica luajti për Shqipërinë. Për Kosovën, nga viti 2016, ka shënuar tetë gola në 48 ndeshje të luajtura.