Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rashica jep sinjal se mund të mbetet te Galatasaray

Viti 2023 për Milot Rashicën, futbollistin e Galatasarayt, ka qenë shumë i suksesshëm.

Rashica me Galatasarayn në këtë vit ka shënuar tri gola dhe dy asistime me klubin, ndërsa e ka edhe një asistim me Kosovën në duelin kundër Andorrës.

Golin e fundit me skuadrën e madhe turke, Rashica e shënoi të premten mbrëma. Realizoi për golin e dytë në fitoren e thellë kundër Kayserisporit, 6:0.

Ai bëri veprim të bukur individual dhe shënoi për golin e pestë të këtij sezoni në të gjitha garat. Ka edhe pesë asistime në 23 ndeshje të luajtura me këtë skuadër në total, në ligë e në Kupën e Turqisë.

Rashica ka nisur ta fitojë edhe përkrahjen e madhe të publikut. Dhe lidhja e tyre mund të vazhdojë edhe pas këtij edicioni.

Edhe Rashica pritet të zyrtarizohet si lojtar i Galatasarayt Sport Rashica pritet të zyrtarizohet si lojtar i Galatasarayt

Ai në shtator të vitit të kaluar u huazua te Galatasaray nga Norwichi anglez.

“Jam shumë i lumtur që mund ta ndihmoj ekipin por ne kemi ekip të mirë, me lojtarë të mirë. Në çdo pozitë janë nga 2-3 lojtarë dhe konkurrenca është shumë e madhe. Është gjë e mirë sepse kjo na ndihmon që të jemi më të fortë. Për sezonin tjetër nuk është puna ime për të folur për këtë. Do të mundohem të bëj çdo gjë dhe ta bëj punën time në fushë. Jam shumë i lumtur këtu, familja ime është shumë e lumtur kështu që të shohim se çfarë do të ndodh”, ka thënë Rashica të premten pas ndeshjes.

Rashica i vlerëson shumë tifozët e skuadrës, që thotë se e përkrahin ekipin kudo që janë dhe janë ndihmesë e madhe për futbollistët. Ai ka shtuar se po kënaqet me këtë ambient. Synon që të dalë kampion me Galatasarayn pasi kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të garës.

Rashica thotë se konkurrenca e madhe në skuadër ka bërë që të arrihet kjo formë nëpër të cilën po kalojnë këta futbollistë aktualisht.

“Kemi konkurrencë të madhe në çdo pozitë dhe kjo na bën më të fortë. Ne kemi shumë ndeshje dhe na duhen të gjithë në skuadër. Secili lojtar është i rëndësishëm për këtë ekip. Nuk ka rëndësi kush luan. Ne vetëm duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet për të dalë kampion”, theksoi Rashica.

Edhe Trabzonspori hyn në garë për transferimin e Rashicës Sport Trabzonspori hyn në garë për transferimin e Rashicës

Rashica do ta fitonte titullin e parë me skuadrën e madhe turke, ndërsa për Galatasarayn do të ishte titulli i 23-të, që është rekord në futbollin e Turqisë. Rekordin Galatasaray e mban edhe me Kupa të fituara.

Kupën e Turqisë e ka fituar 18-të herë.