Milot Rashica ka arritur suksesin më të madh në karrierë. Të martën mbrëma, Rashica me Galatasarayn siguruan titullin e kampionit të Turqisë. Për Galatasarayn është titulli i 23-të, që është rekord i ri.
Fitoren vendimtare Galata e arriti në udhëtim. Fitoi 4:1 ndaj Ankaragucut, në kuadër të xhiros së 36-të. Rashica asistoi në golin e parë, të cilin e shënoi Mauro Icardi. Kosovari krosoi bukur.
Icardi shënoi edhe golin e dytë, ndërsa në pjesën e dytë realizuan Barish Alper Yilmaz dhe Sergio Oliveira.
Golin e vetëm për Ankragucun e shënoi Milson.
Galatasaray nuk e kishte fituar titullin që nga viti 2019.
Në xhiron e parafundit, Galatasaray e luan derbin me Fenerbahçen. Ndërkohë në xhiron e fundit dy skuadrat e mëdha janë të lira. Galatasaray i ka 82 pikë, pesë më shumë se Fenerbahçe, pretendentja tjetër për titull të kampionit. Beshiktashi është i treti me 74 pikë.
Edhe
Rashica i gëzohet suksesit me Galatasarayn
Reprezentuesi i Kosovës, Rashica, ka ngjallur karrierën me kalimin te Galatasaray. Ai më 8 shtator të vitit të kaluar u huazua nga Norwich City për gjithë edicionin. Te skuadra angleze po kalonte periudhë të vështirë. Në 26 paraqitje në elitën turke ka realizuar katër gola, ndërsa i kishte shtatë asistime. Vlerësohet se ka dhënë kontribut të rëndësishëm në kampanjën që përfundoi me titull të kampionit.
Më i miri te Galatasaray ishte sulmuesi argjentinas Mauro Icardi. Ai e mbylli kampionatin me 19 gola e shtatë asistime. Në pesë ndeshjet e fundit i shënoi tetë gola.
Sulmuesi i krahut, Rashica, është zhvilluar si futbollit në Kosovë. 26-vjeçari ka bërë karrierë te Vitesse në Holandë, Werder Bremeni në Gjermani, Norwich City në Angli dhe prej shtatorit të kaluar është te Galatasaray. Me shumë gjasë do të mbetet te kjo skuadër. Rashica është prej lojtarëve kryesorë të Kosovës. Në 48 paraqitje deri më tani, ka realizuar tetë gola. Ai ka festuar me flamur të Kosovës në krah, pasi fitoi titullin e kampionit të Turqisë.