Ukraina ka ndaluar përfaqësueset e saj të garojnë në ngjarjet olimpike, joolimpike dhe paralimpike ku përfshihen garues nga Rusia dhe Bjellorusia, tha Ministria e Sporteve në një deklaratë të lëshuar të premten. Zëvendësministri i Sportit i Ukrainës, i cili nënshkroi këtë vendim, tha se është një “vendim i keq”, por më i mirë se alternativat që ishin.
Dekreti, i kritikuar nga disa sportistë ukrainas, vjen pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) zemëroi Kievin duke i hapur rrugën sportistëve rusë dhe bjellorusë që të garojnë si neutralë, pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ky është një vendim i keq, por në këtë rast nuk ka vendime të mira. Ne jemi të detyruar të zgjedhim midis disa vendimeve të këqija”, tha zëvendësministri Matvii Bidnyi. “Ne u bëjmë thirrje vendeve të tjera që gjithashtu të mos marrin pjesë në këto gara”.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, duke përdorur fillimisht hapësirën e aleates së saj, Bjellorusisë, si një terren për trupat që lëviznin drejt Kievit. Lufta është në muajin e 14-të, kurse ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona, ka rrafshuar qytete dhe ka zhvendosur miliona njerëz. Ukraina kishte paralajmëruar më parë federatat e saj sportive se do t'ua hiqte statusin e organeve drejtuese nëse sportistët e tyre do të garonin në skenën ndërkombëtare me rusët dhe bjellorusët. Kur u pyet, Bidnyi konfirmoi se ndalimi ukrainas kishte të bënte me sportistët me pasaporta ruse ose bjelloruse. Ai tha se ndalesa nuk do të zbatohet për garat ku garuesit përfaqësojnë veten ose klubin e tyre sportiv, në vend të shtetit të tyre.
Zëvendësministri tha se nuk do të ketë asnjë sanksion për ata që garojnë në këto gara, përveç përjashtimit të organit drejtues të sportit nga shteti ukrainas dhe humbjes së financimit publik. I pyetur në lidhje me dekretin, kreu i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Pavelko, tha se institucioni që ai e drejton do të pajtohet me vendimet e Qeverisë ukrainase.
“Ne jemi në luftë. Ne nuk kemi mundësinë të udhëtojmë jashtë vendit pa miratimin e Ministrisë së Sportit”, tha Pavelko, duke iu referuar ndalimit në kohën e luftës për meshkujt e aftë për punë, të moshës 18 deri në 60 vjeç, që të largohen nga vendi pa lejen e Qeverisë.
Pavelko tha se federata aktualisht po bën vlerësime me Ministrinë se cilat gara do të prekeshin, pasi kjo nuk ishte e qartë. Përfaqësuesja e Ukrainës në futboll do të luajë në qershor rundet e ardhshme të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Rusia është përjashtuar nga garat e UEFA-s për shkak të pushtimit, por Bjellorusia është ende duke marrë pjesë, megjithëse në një grup tjetër kualifikues nga Ukraina.
I pyetur për pjesëmarrjen e Ukrainës në kualifikimet e “Euro 2024”, Bidnyi nuk pranoi të jepte përgjigje të prerë. Por tha se pjesëmarrja në grupet kualifikuese ku do të kishte mundësi të evitohej Rusia ose Bjellorusia “me shumë gjasa” nuk do të binte në kundërshtim me dekretin. Disa sportistë ukrainas, përfshirë garuesin olimpik të skeletonit Vladyslav Heraskevych, kritikuan ndalesën duke thënë se do të çonte në shkatërrimin e sporteve ukrainase.
“Nëse përfaqësuesit ukrainas nuk janë të pranishëm në gara, atëherë ne lirojmë plotësisht terrenet sportive ndërkombëtare dhe u japim përfaqësuesve rusë/bjellorusë mundësinë për të promovuar propagandën e tyre”, shkroi ai në “Twitter”.
Bidnyi i hodhi poshtë këto komente.
“Ne do të shkojmë, do të paraqesim protesta, do të mbledhim informacione, do të nxjerrim në pah shkeljet dhe çdo metodë tjetër për ta tërhequr vëmendjen e botës ndaj nevojës për të mos lejuar rusët në gara”.
IOC-ja sanksionoi Rusinë dhe Bjellorusinë vitin e kaluar, por në fund të marsit rekomandoi që sportistët e këtyre vendeve të lejohen të garojnë si neutralë në garat ndërkombëtare. Gjithashtu hapi derën për t'i lejuar ata të kualifikohen për Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm që mbahen në Paris.