Sport

Rruga e Rusisë drejt Olimpiadës 2024 merr formë, Ukraina kundërshton

Rruga e Rusisë për të dërguar një ekip në Lojërat Olimpike të Parisit, vitin e ardhshëm, u bë më e qartë të enjten mes kundërshtimeve të ashpra nga Ukraina.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të mërkurën tregoi se favorizon ekipet neutrale nga Rusia dhe aleatja e saj, Bjellorusia, në Lojërat Olimpike 2024, pavarësisht kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t'i përjashtuar ato plotësisht. Një ditë më vonë, Rusia dhe Bjellorusia u ftuan për të garuar në Lojërat Aziatike, ngjarjen kryesore kualifikuese për Lojërat Olimpike.

Rusia zakonisht garon si pjesë e Evropës, por ka një marrëdhënie të tensionuar me shumë nga vendet që do të organizojnë ngjarje kualifikuese. Rusia dhe Bjellorusia janë larguar nga pothuajse të gjitha garat ndërkombëtare në sportet olimpike pas pushtimit të Ukrainës.

Zelenskyy i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, shteti i të cilit organizon Lojërat Olimpike, se Rusia nuk duhet të ketë "vend" atje. Ukraina po kërkon mbështetje kundër planit të ndërmjetësuar nga IOC-ja.

“IOC-ja ka shpërfillur krimet ruse të luftës, duke pretenduar se ‘asnjë sportist nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tyre’, ndërsa sportistët ukrainas vazhdojnë të vriten nga Rusia për shkak të pasaportave të tyre. I bëj thirrje të gjitha figurave sportive të bëjnë të njohur qëndrimin e tyre”, shkroi ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, në Twitter të enjten.

Ukraina bojkotoi një garë kualifikuese olimpike në xhudo vitin e kaluar, në të cilën rusët u lejuan të garojnë si neutralë. Në Rusi pati vlerësime për qasjen e IOC-së nga Igor Levitin, ndihmës i presidentit Vladimir Putin, i cili mban poste me ndikim në qeveri dhe sporte.

“Mendoj se tashmë është një sukses. Shoqëria olimpike e kupton se Lojërat Olimpike nuk mund të organizohen pa Rusinë”, tha Levitin, i cili është nënkryetar i Komitetit Olimpik të Rusisë.

Disa zyrtarë rusë shprehën pakënaqësi për deklaratën e IOC-së se nuk do t'i lejonte sportistët që zbulohen se “mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë”. Presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë, Stanislav Pozdnyakov, tha se ai kundërshtoi “çdo kufizim, kërkesë shtesë ose sanksion”.

Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, tha se mbështet rusët që të garojnë si sportistë neutralë, pa flamurin rus.

“Mendoj se është koha e sportistëve dhe ata nuk duhet t’i ndalojmë nga garat e tyre. E kuptoj që Olimpiada do të mbahet në një kohë me zhvillime gjeopolitike, por shpresoj që lufta në Ukrainë të përfundojë para Lojërave të Parisit”, shtoi ai.

Nuk pati përgjigje të menjëhershme nga Qeveria franceze, edhe pse vendet e tjera evropiane kritikuan IOC-në. Sekretarja britanike e kulturës, Michelle Donelan, tha se qëndrimi i IOC-së ishte “një botë larg realitetit të luftës që po ndihet nga populli ukrainas”. Në Gjermani, Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser e quajti vendimin e IOC-së si “rrugë të gabuar”.

Deklarata e IOC-së i referohej luftës në ish-Jugosllavi rreth Lojërave Olimpike të vitit 1992 në Barcelonë. Vendi i dikurshëm ishte nën sanksione të Kombeve të Bashkuara, kështu që sportistët nga Jugosllavia u lejuan të garonin individualisht vetëm si “Pjesëmarrës të Pavarur Olimpik”. Ata nuk morën pjesë në sporte ekipore, si futbolli dhe basketbolli.

Rusët garuan nën emrin “Sportistët olimpik nga Rusia" në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 dhe si “ROC” në 2021 dhe 2022, pa himnin ose flamurin e vendit të tyre, por me ngjyra kombëtare në uniforma. Lojërat Aziatike do të zhvillohen në Hangzhou të Kinës në shtator dhe tetor dhe do të shërbejnë si kualifikime olimpike në disa sporte, përfshirë gjuajtjen me hark dhe boksin.