Sport

Ukraina u kërkon sportistëve të shmangin kontaktet me rusët e bjellorusët

Ukraina u kërkon sportistëve të shmangin kontaktet me rusët e bjellorusët

Komiteti Olimpik i Ukrainës dhe Ministria e Sportit e Ukrainës kanë lëshuar një listë rekomandimesh për sportistët ukrainas që do paraqiten në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Rekomandimet kanë të bëjnë me atë se si të sillen ukrainasit në praninë e sportistëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Paris.

Këto dy institucione u kanë kërkuar olimpistëve ukrainas  që të shmangin, sa më shumë të jetë e mundur, çdo kontakt të drejtpërdrejtë me sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia, që po mbështesin forcat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Rekomandimet përfshijnë gjithashtu mospjesëmarrjen në konferenca për shtyp apo intervista me sportistët e këtyre dy vendeve, shmangien e fotografimit me sportistët rusë dhe bjellorusë në ceremonitë e medaljeve.

Ukrainasit janë këshilluar të përmbahen nga ndërveprimet me sportistët rusë dhe bjellorusë në mediat sociale, si një masë tjetër për të shmangur çdo kontakt që mund të çojë në polemika e konflikte.

Në rekomandime shkruan se sportistët duhet të raportojnë shkeljet e parimit të neutralitetit nga rusët dhe bjellorusët.

IOC-ja ka lejuar rusët dhe bjellorusët të garojnë në Paris si të pavarur.