Të enjten prej orës 18:00 hidhet shorti i edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pjesë e kësaj gare të re të Konfederatës Evropiane të Futbollit prej fillimit është edhe përfaqësuesja e Kosovës. Madje, Kosova sukseset më të mëdha i ka pikërisht në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Përfaqësueset e të gjitha 55 vendeve anëtare të UEFA-s do të jenë pjesë e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, përkatësisht edicionit 2022/23. Ky kompeticion është i ndarë në katër nivele, përkatësisht në liga. Ndarja e përfaqësueseve në liga bëhet në bazë të renditjes së përgjithshme të edicionit paraprak të Ligës së Kombeve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Ligën A garojnë 16 përfaqësueset më të suksesshme evropiane, që do të ndahen në katër grupe. Në Ligën B janë përfaqësueset e ranguara prej pozitës së 17-të e deri në pozitën e 32-të. Edhe këto 16 përfaqësuese garojnë në katër grupe.
16 përfaqësuese e katër grupe i ka edhe Liga C e Ligës së Kombeve. Kosova është pjesë e kësaj lige. Ndërkohë, në Ligën D, përkatësisht në rangun e katërt, janë shtatë përfaqësuese që do të ndahen në dy grupe. Njëri grup do t’i ketë katër përfaqësuese e njëri tri.
Në Ligën C, ndonëse niveli i tretë i garës, ka përfaqësuese serioze evropiane. Në vazon e parë për shortin e së enjtes janë Turqia, Sllovakia, Bullgaria dhe Irlanda. Turqia është më e ranguara prej Ligës C. Njëra prej këtyre katër përfaqësueseve do të jetë në grup me Kosovën.
Në vazon e dytë janë Greqia, Bjellorusia, Luksemburgu e Maqedonia e Veriut. Kosova është në vazon e tretë, e fundit në të. Lituania, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani janë përfaqësueset e tjera të kësaj vazoje, me të cilat Kosova nuk do të jetë në grup. Ndërkohë, vazoja e katërt është ende e hapur. Kazakistani përballet me Moldavinë, ndërsa Qiproja me Estoninë, në plejautin e edicionit të kaluar. Fituesit e këtyre ndeshjeve mbesin në Ligën C, ndërsa humbësit bien në Ligën D. Gjibraltari dhe Ishujt Faroe janë përfaqësueset e tjera të vazos së katërt të Ligës C.
Fituesi i grupit në Ligën C do të promovohet në Ligën B për edicionin 2024/25 të Ligës së Kombeve. Ndërsa, nëse Kosova eventualisht mbetet e fundit në grup, do të luajë në plejaut për të shmangur rënien në Ligën D.
Fituesit e grupeve në Ligën A garojnë për titull të kampionit të Ligës së Kombeve.
Shqipëria është në Ligën B. Është në vazon e katërt së bashku me Slloveninë, Malin e Zi dhe Armeninë. Në vazon e parë të Ligës B janë Ukraina, Suedia, Bosnjë-Hercegovina dhe Islanda. Në vazon e dytë bëjnë pjesë Finlanda, Norvegjia, Skocia dhe Rusia. Izraeli, Rumania, Serbia dhe Irlanda janë në vazon e tretë.
Franca, Spanja, Italia, Belgjika; Portugalia, Holanda, Danimarka, Gjermani; Anglia, Polonia, Zvicra, Kroacia; Uellsi, Austria, Çekia dhe Hungaria janë në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Ndeshjet e Ligës së Kombeve luhen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm. Katër ndeshje janë në qershor (2-4, 5-8, 8-11, 12-14) dhe dy të tjera në muajin shtator (22-24, 25-27).
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova ishte në Ligën D. E fitoi grupin ku ishin edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. Kështu u promovua në Ligën B për edicionin e radhësh dhe po ashtu e fitoi të drejtën e paraqitjes në plejof për kualifikim në Euro 2020. Plejofi ishte shpresë e madhe e Kosovës për kualifikim në Evropian. Por, në gjysmëfinale të plejofit, më 8 tetor të vitit të kaluar, Kosova humbi 2:1 nga Maqedonia e Veriut. Dhe prej atij momenti filloi rënia e madhe e Kosovës. Maqedonia e Veriut në finale të plejofit kishte mposhtur Gjeorgjinë dhe luajti në Evropian.
Në vjeshtën e kaluar u luajt edicioni i dytë i Ligës së Kombeve. Kosova ishte në grupin 3 të Ligës C. Sllovenia e fitoi grupin, duke mbledhur 14 pikë. 12 pikë i kishte Greqia e vendit të dytë, ndërsa Kosova e vendit të tretë mori 5 pikë në gjashtë ndeshje. E fundit në grup mbeti Moldavia, që në mars luan në plejaut, me synim që të mbetet në Ligën C.
Ndërsa edicioni i parë i Ligës së Kombeve jepte rrugë të dytë për kualifikim në Evropian, për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, nuk është njoftuar të ketë ndonjë lidhshmëri me kualifikimet për Euro 2024.