Kur Kosova ende po i bënte hapat e parë në futbollin ndërkombëtar, UEFA e prezantoi garën e re – Ligën e Kombeve.
Dhe është Liga e Kombeve që dëshmon rritjen e përfaqësueses së Kosovës në futboll përgjatë tetë vjetëve të fundit.
Për shortin e parë të Ligës së Kombeve, të tërhequr më 24 janar 2018, Kosova ishte vetëm në vazon e katërt , përkatësisht të fundit, të Ligës D. Liga D ishte niveli i katërt, përkatësisht i fundit, i edicionit të parë të Ligës së Kombeve, 2018/19. Andorra, San Marino dhe Gjibraltari ishin përfaqësueset tjera të vazos së katërt. Pra ky vlerësohej niveli i Kosovës në janar 2018.
Cilësia megjithatë ishte më e madhe te “Dardanët”. Kosova e fitoi Grupin 3 të Ligës D, ku ishin edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. I mblodhi 14 pikë, pesë më shumë se Azerbajxhani.
Pos që siguroi avancimin në Ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, Kosova avancoi edhe në plejofin kualifikues për Euro 2020. U ndal në gjysmëfinale të plejofit nga Maqedonia e Veriut, në ndeshjen që vazhdon të jetë “plaga” kryesore e rrugëtimit të deritashëm. U vlerësua dhe ende vlerësohet se Kosova lëshoi rast të artë për kualifikim në Evropian.
Kualifikimi në një ngjarje të madhe ende mbetet synimi kryesor i Kosovës.
Derisa për edicionin e parë, Liga D doli të jetë nivel i dobtë për Kosovën, për edicionin e dytë, 2020/201, Liga C doli të jetë goxha e fortë.
Kosova mbeti vetëm e treta në grup në ligën e nivelit të tretë, përkatësisht C. Sllovenia e fitoi grupin me 14 pikë. 12 i kishte Greqia, e Kosova vetëm pesë. Moldavia mbeti e fundit me një pikë. Vendi i tretë ia siguroi Kosovës mbetjen në Ligën C, por ky nuk ishte synimi.
Stagnimi u vazhdua edhe në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, 2022/2023. Sërish në Ligën C, Kosova mbeti e dyta në grup me 9 pikë. Grupin e fitoi Greqia me 15 pikë. Pas përfaqësueses “dardane” mbetën Irlanda e Veriut dhe Qiproja me nga pesë pikë.
Edhe në edicionin e katërt të “UEFA Nations League”, 2024/2025, Kosova mbeti e dyta në grupin C. Grupin e fitoi Rumania me 18 pikë, Kosova kishte 12 pikë e pas saj mbetën Qiproja me gjashtë pikë dhe Lituania, pa pikë.
Por këtë herë pozita e dytë siguronte vend në plejof për avancim në Ligën B. Në plejof, në mars të vitit të kaluar, Kosova i fitoi dy ndeshjet me Islandën. Dhe për herë të parë avancoi në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Tani në Ligën B është në grup me Izraelin, Austrinë dhe Irlandën. Ndeshja e parë është të enjten (nesër) me Irlandën në “Fadil Vokrri”. Kjo ndeshje fillon në ora 20:45. Menjëherë të dielën të përzgjedhurit e Franco Fodas luajnë në Vjenë ndaj Austrisë. Ndeshja e fundit e kësaj kampanje luhet më 17 nëntor.
Pas shkëlqimi në kualifikimet e rregullta për Botërorin 2026, Kosova synon ta fitojë grupin në Ligën B, që do t’ia siguronte Ligën A për edicionin e ardhshën të “Nations League”. Do të ishte sukses i rëndësishëm, që, ndër të tjera, do të dëshmonte rritjen e vazhdueshme të ekipit përfaqësues.
Edhe pozita e dytë do të ishte sukses. Si e dyta, Kosova do të luante në plejof për avancim në Ligën A.
UEFA e krijoi Ligën e Kombeve për të zëvendësuar miqësoret. Liga e Kombeve organizohet mes cikleve kualifikuese për Evropian e Botëror. Por, natyrisht, numri më i madh i ndeshjeve garuese, trofeu i Ligës së Kombeve dhe ngritja dhe rënia në liga, ka bërë që kjo garë të fitojë në rëndësi. Kosovës i ka shërbyer ndoshta edhe më shumë se përfaqësueseve të tjera evropiane.
Ndeshjet e Ligës së Kombeve shfrytëzohen edhe për të testuar lojtarë të rinj dhe për të përgatitur ekipet për kualifikimet e rregullta.
Kosova nuk dallon këtu. Synimi i madh tani është kualifikimi në Euro 2028. Dhe ndeshjet e kësaj vjeshte shërbejnë për këtë.