Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova lë prapa tetë përfaqësueses të Ligës B

jkoso

Të martën mbrëma ka përfunduar periudha e gjatë e ndeshjeve ndërkombëtare në futboll. Janë luajtur edhe ndeshjet e fundit në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s. 

Në këtë ligë janë 16 përfaqësuese evropiane, të ndara në katër grupe. Dhe saktësisht gjysmën e tyre Kosova i ka lënë prapa sa u takon pikëve të mbledhura, përkatësisht rezultateve, pas katër xhirove të para.

Kosova po garon për herë të parë në Ligën B dhe për short ishte e fundit në vazon e fundit. Në bazë të këtyre faktorëve vlerësimet reale do të mund të ishin që Kosova të ishte kah fundi i 16 përfaqësueseve pas katër prej gjashtë xhirove sa janë gjithsej.

Por Kosova është në pjesën e epërme, ndonëse në Ligën B ka përfaqësuese shumë cilësore që nuk mungojnë asnjëherë në Kampionate Evropiane dhe Kampionate Botërore.

Në Grupin 3, që po del të jetë më i forti, Kosova ka pesë pikë në vendin e dytë. Pesë pikë i ka edhe Irlanda në vendin e tretë, ndërsa Austria është lidere me tetë pikë. Pos Irlandës, Kosova në grup ka lënë prapa edhe Izraelin, që i ka dy pikë.

Grupi 1 është dominuar plotësisht nga Zvicra, që ka mbledhur 12 pikët maksimale. Më shumë pikë se Kosova ka edhe Sllovenia – shtatë. Ndërkohë Skocia me katër dhe Maqedonia e Veriut, pa pikë, janë në dy pozitat e fundit. Dhe rrjedhimisht nën Kosovën në tabelën e përgjithshme të të gjitha përfaqësueseve të Ligës B.

Në Grupin 2, Irlanda e Veriut i ka tetë pikë, kurse Hungaria shtatë. Ukraina është e treta me katër pikë, ndërsa Gjeorgjia i ka dy. 

Në Grupin 4, Suedia udhëheqë me 10 pikë, dy më shumë se Bosnjë-Hercegovina. Polonia është e treta me katër pikë, ndërsa Rumania nuk e mori asnjë pikë në katër ndeshjet e para.

Prapa Kosovës në tabelën e përgjithshme të Ligës B janë Irlanda, Polonia, Skocia, Ukraina, Gjeorgjia, Izraeli, Rumania dhe Maqedonia e Veriut.

Maqedonia e Veriut e la Kosovën jashtë Evropianit 2021. Me Rumaninë, Kosova nuk e ka asnjë fitore. Ka një barazim e tri humbje, ndonëse njërën prej tyre me rezultat zyrtar.

Liga e Kombeve ofron mundësi për paraqitje në plejofin kualifikues për Euro 2028. Por edhe më i rëndësishëm është fakti që caktimi i përfaqësueseve në vazo për shortin e kualifikimeve për Euro 2028 bëhet në bazë të suksesit në edicionin aktual të Ligës së Kombeve. 

Në bazë të gjendjes aktuale, Kosova do të jetë në vazon e dytë të shortit për kualifikim në Euro 2028. Por këtë vend duhet ta konfirmojë në dy ndeshjet e fundit, ndaj Izraelit më 14 nëntor në Prishtinë dhe ndaj Irlandës më 17 nëntor në Dublin.

Vazoja e dytë do të rriste ndjeshëm gjasat e Kosovës për kualifikim historik në Evropian. Ky edhe është synimi i madh i “Dardanëve”.

Për Euro 2021, Kosova ishte vetëm në vazon e pestë. Për Euro 2024 ishte në vazon e katërt. Dhe tani mund të jetë në vazon e dytë, që do t’i mundësonte grup më të lehtë.