Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça e pret Rahovecin në derbin e madh të hendbollit

Prej një skuadre inferiore, Rahoveci shumë shpejt është shndërruar në top-skuadër në hendbollin kosovar. Ka fituar të gjitha 12 ndeshjet e këtij edicioni dhe udhëheq në tabelën e Superligës së Kosovës me 24 pikë. Tashmë ka bërë shkëputje prej katër pikësh me Besa Famgasin dhe Trepçën. Besa e Pejës ka dominuar gjatë në hendbollin kosovar. Madje shumë vjet e përfundoi kampionatin pa humbje. Është kampione në fuqi. Por këtë edicion humbi dy herë nga Rahoveci dhe tani është e dyta me 18 pikë, sa i ka edhe skuadra mitrovicase në vendin e tretë.

Ndërkohë Trepça ka fituar Kupën e Kosovës këtë vit. Ishte trofeu i parë i mitrovicasve pas rreth dy dekadash.

Trepça e Rahoveci takohen të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë, në kryendeshjen e xhiros së 13-të. Është kjo xhiroja e parafundit për stinorin vjeshtor. “Vreshtarët” udhëtojnë për fitore, por mitrovicasit kanë plane të tjera. Shpresojnë në përkrahje nga tribuna për t’iu revanshuar Rahovecit për humbjen e thellë që ua shkaktuan javë më parë në “Mizahir Isma”.

Rahoveci do të jetë pa lojtarin kryesor, Egzon Gjuka. Gjuka ka operuar gjurin ditë më parë dhe do të mungojë për disa muaj. Ndërkohë Trepça do të jetë pa Lulzim Shabanin dhe brazilian Marley Wallace, që po ashtu janë të lënduar. Shabani është aloja e parë e majtë e Trepçës dhe përfaqësueses së Kosovës, ndërsa Wallace është beku i djathtë i parë i skuadrës mitrovicase.

Me gjithë mungesat e rëndësishme, të dy skuadrat synojnë pikët.

Trepça është e motivuar nga fitorja ndaj Besa Famgas, të cilën e shënoi javën e kaluar. Për skuadrën mitrovicase ishte fitorja e parë ndaj Besës në “Minatori” pas shumë e shumë vjetësh. Trepça po ashtu mburret që këtë edicion ka fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi.

Edhe Rahoveci fiton gjysmëfinalen e parë të plejofit Sporte të tjera 2 muaj më parë Rahoveci fiton gjysmëfinalen e parë të plejofit

Të shtunën janë edhe ndeshjet Besa Famgas – Prishtina dhe Deçani – Vushtrria. Edhe këto dy ndeshje fillojnë prej orës 19:00.

Xhiroja e 13-të mbyllet me takimin Vëllaznimi – Kastrioti, që zhvillohet të dielën nga ora 18:00.