Kampionati Evropian i Futbollit do të zhvillohet gjatë verës në Gjermani. Pjesë e Evropianit është edhe Zvicra, që këtë muaj, si përfaqësueset e tjera të futbollit, do ta ketë grumbullimin e parë. Zvicra në fund të muajit luan dy miqësore, kundër Danimarkës më 23 mars në Kopenhagë dhe ndaj Irlandës tri ditë më vonë në Dublin.
Për dy ndeshjet miqësore, seleksionuesi i Zvicrës ka publikuar të enjten listën e lojtarëve për ndeshjet e këtij muaji.
Në listë, Yakin ka përfshirë kapitenin Granit Xhaka, zëvendëskapitenin Xherdan Shaqiri dhe Uran Bislimin.
“Jam i kënaqur me këtë skuadër. Ne po shkojmë në ndeshjet testuese fillimisht e më pas me besim të madh në Evropian. Nuk mund të bësh një parashikim tre muaj përpara, nuk do të ishte e saktë. Ne i njohim kundërshtarët dhe e dimë se mund të fitojmë kundër kujtdo. Ne duam të luajmë një rol të rëndësishëm në këtë kampionat evropian. Objektivi më i rëndësishëm është të kalojmë fazën e grupeve, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, ka thënë Yakin në konferencën për media.
Zvicra në Evropian është pjesë e Grupit A së bashku me nikoqiren Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë.
Edhe
Xhaka tërheq vërejtjen në prag të Botërorit, Yakin përgjigjet me humor
Edhe në Evropianin, që do të zhvillohet në Gjermani, Yakin do të mbështetet te lojtarët shqiptarë, në veçanti te kapiteni Granit Xhaka dhe zëvendëskapiteni Xherdan Shaqiri. Xhaka e Shaqiri janë liderë të Zvicrës. Xhaka, i cili është duke e udhëhequr Bayer Leverkusenin drejt titullit në Bundesligë, për Zvicrën ka luajtur 121 ndeshje, ndërsa ka shënuar 14 gola. Ndërkohë Shaqiri i Chicago Fire, ka shënuar 29 gola në 119 ndeshje.
Yakin është pyetur për rolin që Shaqiri do ta ketë te Zvicra gjatë Kampionatit Evropian. Ai ka thënë se Shaqiri ishte vendimtar në fazën e grupeve.
“Shaqiri ishte vendimtar në fazën e grupeve. Fakti që kemi kundërshtarë krejtësisht të ndryshëm, do të diskutojmë në mars. I fola shkurt. Do të provojmë disa gjëra në mars, për këtë janë ndeshjet testuese. Por ai gjithashtu duhet të dijë dhe të kuptojë rolin e tij”, ka thënë Yakin.
Jashtë listës për ndeshjet e marsit ka mbetur kapiteni i Luzernit, Ardon Jashari. Jashari ishte pjesë e Zvicrës në Botërorin e zhvilluar në Katar, ndërsa shpreson të jetë pjesë e Zvicrës edhe për “Euro 2024”. Yakin ka thënë se Zvicra llogarit në mesfushorin shqiptar të Luzernit. Ai ka thënë se Jashari duhet të ketë durim.
“Ardoni ka nevojë për durim dhe për ndeshje të nivelit elitar ndërkombëtar. Nuk e kemi hequr atë, ne po llogarisim tek ai. Por ai ka nevojë për durim dhe duhet t’i luajë disa ndeshje për ekipin U21”, ka thënë Yakin në konferencë për media.
Yakin është pyetur edhe për shumë çështje të tjera, ndër to edhe për reagimin që Granit Xhaka e pati ditë më parë për kritikët e Baselit dhe vëllait të tij Taulantit. Xhaka ua kanë bërë të ditur kritikëve se Baseli është klub i madh. Ai nuk ka kursyer edhe gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale. Por Yakini nuk ka dashur të japë koment.
“Kam biseduar disa herë me Granitin në telefon, nuk ka qenë temë diskutimi, kemi biseduar për futbollin. Ka kuptim që ai do ta mbronte vëllain e tij. Nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur. Kjo nuk është një çështje në Gjermani, vetëm këtu”, ka thënë Yakini.
Yakinit i skadon kontrata pas Evropianit me Zvicrën. Ai ka thënë se e ka mbështetjen e lojtarëve dhe Federatës së Futbollit të Zvicrës.
Edhe
Xhaka barazon rekordin që e mbajnë Shaqiri e Behrami
“E kam besimin e lojtarëve dhe federatës. Do të doja të nisja përgatitjet për Kampionatin Evropian me qetësi. Mund të diskutojmë gjithçka pas Evropianit”, ka thënë Yakini.