Transferim ëndrrash e ka quajtur Qëndrim Zyba kalimin te skuadra e madhe polake, Legia e Varshavës, nga kampioni i Kosovës, Ballkani.
Zyba u zyrtarizua te skuadra polake të premten. 22-vjeçari është huazuar nga suharekasit për një vit e gjysmë, me opsionin e vazhdimit të kontratës edhe për dy vjet të tjerë.
“Dua ta tregoj veten në fushë dhe të marr përkrahje të madhe nga tifozët për paraqitjet e mia”, ka thënë Zyba për faqen zyrtare të Legias, pasi e nënshkroi kontratën.
Zyba me plot sukses është paraqitur me skuadrën e Ballkanit në dy edicionet e fundit.
E ka fituar dy herë titullin e kampionit, një herë me Prishtinën në edicionin 2020/21 dhe me Ballkanin në edicionin 2022/23.
Me Ballkanin në Turqi e fitoi edhe Superkupën e Kosovës.
Në 28 ndeshjet e pjesës së parë të edicionit aktual, Zyba ka shënuar katër gola, ndërsa e ka edhe një asistim.
Zyba gjithmonë ka qenë mirënjohës ndaj skuadrave ku ka luajtur. Të premten shtoi se e ka gjetur edhe një tjetër vend të veçantë.
“Iu bashkova Legia Varshavës, skuadrës më të madhe në Poloni, me tifozët më të mirë. Kjo skuadër ka ambicie për të triumfuar në kampionat. Kjo ditë është përmbushje e ëndrrës për të cilën kam punuar për kohë të gjatë”, ka thënë Zyba duke treguar edhe për futbollin e Kosovës që është në rritje.
Nga futbolli vendor, Zyba ka arritur që të depërtojë edhe në Përfaqësuesen e Kosovës. Ka zhvilluar katër ndeshje me “Dardanët”.
“Futbolli në Kosovë është duke u zhvilluar dhe është në rritje. Liga jonë po përmirësohet vazhdimisht, nga dita në ditë, dhe gjithmonë dalin lojtarë më të mirë. Shumë futbollistë me potencial të madh kanë vendosur që ta vazhdojnë karrierën në ligat evropiane. Jam krenar që e kam ndjekur këtë rrugë. E di se mund të zhvillohem edhe më shumë te Legia. Shpresoj që gjithçka të shkojë ashtu siç unë kam dëshirë, nga dita e parë te klubi i ri”, theksoi Zyba.
Mesfushori, nga shumë njohës të futbollit vlerësohet si lojtar që vrapon shumë, lufton për bashkëlojtarët dhe nuk dorëzohet asnjëherë.
Të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe te skuadra e Legias, që është 15 herë kampione e Polonisë. Ky ekip e ka fituar 20 herë Kupën e Polonisë dhe pesë herë është fitues i Superkupës. Një herë ka triumfuar edhe në Kupën e Ligës së Polonisë.
Kupën për herën e fundit e fitoi në edicionin e kaluar, kurse kampionatin polak e ka fituar në edicionin 2020/21. Aktualisht nuk është mirë në tabelën e “Ekstraklasas” së Polonisë. Ka 32 pikë në vendin e pestë pas 19 xhirove të zhvilluara. Slask Wroclaw është lider me 41 pikë.
Te skuadra e Legias së Varshavës janë edhe dy shqiptarë, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka.
“Dua që te Legia të jap më të mirën, sepse ky klub e meriton. Kur e pashë se çfarë tifozë të shkëlqyer ka kjo skuadër, e kam kuptuar menjëherë se në çfarë vendi jam duke ardhur. Dua t’ua shfaq më të mirën atyre në fushë dhe të marr pëlqimin nga të gjithë me paraqitje pozitive. Ky sukses ka ardhur falë njerëzve të cilët më kanë ndihmuar vazhdimisht dhe ishin përkrah meje. E kam gjetur vendin e ëndrrave dhe nuk do të mund ta imagjinoja ndonjë dhuratë më të mirë për ditëlindje”, deklaroi Zyba.
Zyba të shtunën feston ditëlindjen e 23-të.
Shihet si ndihmesë e madhe për Legian në mesfushë. Ai me Legian do të paraqitet edhe në 1/16 e finales së Ligës së Konferencës.