Trajneri nga Kroacia, Andrej Panadiq, në konferencën e tij të prezantimit te Ferizaj, ka insistuar se ekipi i tij ka cilësi.
Ferizaj ditë më parë e zyrtarizoi Panadiqin në postin e trajnerit pas dorëheqjes së Arbnor Morinës.
Panadiq me ekipin e Superligës së Kosovës ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni.
Po ashtu, Panadiq ka shtuar se e njeh mentalitetin e futbollit të Kosovës, duke insistuar se dallon shumë pak prej atij të Kroacisë.
“Zakonisht nuk merrem me ato se çka thuhet dhe shkruhet nëpër media. Më pëlqen të punoj shumë, të merrem me ekipin. Por, mos pritni nga unë që të bëjë magji në një kohë të shkurtër. Mendoj se ekipi ka kualitet nga ajo se çfarë kam parë këto ditë”, ka thënë Panadiq, i cili ka shtuar se futbolli në Kosovë është zhvilluar shumë në vitet e fundit.
Panadiq në krye të Ferizajt do të debutojë këtë vikend, në ndeshjen që ekipi i tij është mysafir i Prishtinës.
Për ndryshimet në klub, ka folur edhe presidenti i Ferizajt, Lulzim Abazi. Ai ka thënë se ndryshimet ishin të nevojshme pas rezultateve të fundit. Gjithashtu, Abazi ka shtuar se pas largimit të Morinës ka pasur shumë oferta për trajnerë, por vendosi për kroatin Panadiq, i cili sipas tij ishte një profil interesant. Sipas tij, me ardhjen e Panadiqit në krye të ekipit, ka dashur të instalojë një mentalitet kroat te Ferizaj.
Skuadra e Ferizajt në katër ndeshjet e fundit kampionale ka marrë vetëm katër pikë dhe renditet në pozitën e fundit në tabelë me tetë pikë të mbledhura pas dhjetë xhirove të zhvilluara në Superligë.