Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Panadiq ka respekt për Prishtinën, por kërkon rezultat pozitiv

Trajneri i Ferizajt, Andrej Panadiq, ka folur para duelit që ekipi i tij e luan me Prishtinën. Ferizaj është mysafir i Prishtinës në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje luhet të shtunën në stadiumin "Fadil Vokrri" prej orës 15:00.

Ferizaj në këtë ndeshje futet pas fitores ndaj Gjilanit, ndërsa Prishtina pas humbjes që e pësoi nga Dukagjini. Kroati Panadiq ka thënë se ka respekt të madh për Prishtinën, por ka shtuar se ekipi i tij kërkon rezultat të favorshëm në këtë përballje.

"Nuk e di se çfarë do të ndodh në ndeshje, pasi këtë nuk e di askush. Unë veëm e di se për secilën ndeshje përgatitemi maksimalisht dhe detajisht, e kështu do të jetë edhe kundër Prishtinës", ka thnënë Panadiq për KOHËN.

"Kam respekt të madh për Prishtinën. Është një skuadër shumë e mirë me lojtarë cilësorë. Besoj se do të kualifikohet në finalen e kupës, gjë që tregon edhe cilësinë që e posedon. Ne duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të japim gjithçka nga vetja për një rezultat pozitiv në Prishtinë".