Sport

Trajner i ri, emra të “vjetër”

Gati një muaj pasi u emërua në postin e selektorit të Kosovës, Franco Foda ka shpallur listën e parë të futbollistëve të ftuar. Të premten, tekniku gjerman publikoi emrat e 24 lojtarëve në të cilët llogarit për miqësoret me Armeninë dhe Hungarinë. Ndeshja me Armeninë është më 22 mars në Jerevan, ndërsa me Hungarinë më 26 mars në Budapest.

Foda, që u zyrtarizua në krye të Kosovës më 17 shkurt, është bazuar në grupin e lojtarëve që kanë luajtur edhe në të kaluarën. Emër i ri është vetëm Drilon Hazrollaj, që po kalon formë të lartë te Malisheva. Për herë të parë është ftuar edhe portieri i Llapit, Ilir Avdyli. Por 33-vjeçari shihet si zgjedhje e tretë për portën. Për Avdylin natyrisht është sukses i madh grumbullimi me Përfaqësuese.

Sa i takon pjesës tjetër të ekipit, Foda nuk ka bërë ndryshime. Ka kthyer lojtarë, për disa prej të cilëve kishte vlerësime se ka përfunduar periudha me Përfaqësuese. Dhe është bazuar në grupin e lojtarëve bartës e të konfirmuar.

Kjo në fakt pritej. Kosova nuk ka bazë shumë të gjerë të lojtarëve. Bartësit e lojës dihen dhe ata nuk kanë se si të ndryshojnë në mungesë të konkurrencës më të madhe. Në portë është Arijanet Muriq, në qendër të mbrojtjes Amir Rrahmani, në krahë të mbrojtjes Mërgim Vojvoda, Leart Paqarada e Florent Hadërgjonaj, në sulm Vedat Muriqi e Albion Rrahmani, sulmues krahu Edon Zhegrova e Milot Rashica. Dhe pjesa tjetër kryesisht mbulohet.

Përkrah kapitenit Rrahmani në qendër të mbrojtjes pritet të luajnë Fidan Aliti apo Mirlind Kryeziu, që ka kohë që janë te Kosova. Konkurrentë të fortë tashmë janë edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit e Ilir Krasniqi i Llapit.

Nëse Foda vendos për dy sulmues, përkrah Muriqit mund të jetë Albion Rrahmani, që po kalon formë të lartë në Rumani. Nëse vendoset për një sulmues, atëherë Muriqi ende vlerësohet i pakonkurrencë. Për dy pozitat në krahë konkurrojnë edhe Florent Muslija, Zymer Bytyqi, Elbasan Rashani, Donat Rrudhani, Bersant Celina e Drilon Hazrollaj.

Dhe kështu pjesa qendrore e mesfushës sërish do të jetë pika më e ndjeshme e Përfaqësueses. Këtu Foda nuk ka bërë ndonjë ndryshim të madh, ndonëse kjo mund të jetë pritur.

Florian Loshaj, Blendi Idrizi e Valon Berisha janë opsionet e vetme. Për ndeshjen e dytë do të bashkohet edhe Lindon Emërllahu i Ballkanit, që sapo është kthyer nga një lëndim që e mbajti gjashtë jashtë fushës.

Opsionet për mesin e fushës nuk është se bindin shumë.

Loshaj luan rregullisht, por në skuadrën më të dobët të Superligës turke. Ka katër gola këtë edicion, jo edhe asistime.

Blendi Idrizi ka hapësirë të limituar te Schalke në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Të dielën ishte rezervist i pashfrytëzuar, si në shumicën e ndeshjeve. Në ndeshjen e kaluar luajti 13 minuta e më parë ishte vetëm në stol. Ka një gol e dy asistime në vetëm 12 paraqitje këtë edicion në kategorinë e dytë gjermane.

Valon Berisha, dikur lider i mesfushës së Kosovës, prej janarit është pjesë e LASK-ut në kampionatin austriak. I ka gjashtë paraqitje deri më tani, por jo edhe gola e asistime. Ai ishte kohë të gjatë pa skuadër e më pas edhe i lënduar. Në skuadrën austriake po e gjen ritmin dhe pritet të jetë sërish lojtar i rëndësishëm te Kosova, ndër të tjera edhe për mungesë opsionesh.

Ka pasur shpresë se me Fodan do të vijnë lojtarë të rinj në Përfaqësuese. Por kjo nuk ka ndodhur, të paktën për grumbullimin e parë. Elvis Rexhbeçaj vlerësohet se do t’i kontribuonte stabilizimit të mesfushës. Por ai vazhdon të mos shfaqë interesim. Rexhbeçaj direkt nuk është deklaruar asnjëherë për mundësinë që të luaj për Kosovën. Diant Ramaj, që do të shërbente për të rritur konkurrencën në portë, po e pret Gjermaninë. Ndërkohë Arbër Hoxha zgjodhi Shqipërinë.

Emra të tjerë janë përfolur dhe do të përmenden edhe në të ardhmen. Por në dy ndeshjet e ardhshme Përfaqësuesja do të ketë pamjen që e kishte deri më tani. Rezultatet e këtij ekipi nuk ishin ato që synoheshin dhe mbetet të shihet nëse ky ishte maksimumi i këtij grupi lojtarësh, apo tekniku gjerman do të nxjerrë diçka më shumë prej tij.